Anija “Libra” e marinës italiane ka mbërritur në portin e Shëngjin me 8 emigrantë në bord. Fillimisht ishte planifikuar që të ishin nëntë persona ata që do të silleshin drejt kampit të Gjadrit, por personi i nëntë, i cili ishte me origjinë nga Bangladeshi, u gjykua se ishte shumë i moshuar dhe me shëndet të dobët.
Pas mbërritjes së kontigjentit të dytë të emigrantëve, në postin e Shëngjini, mësohet se njëri nga 8 personat do të kthehet mbrapsht. Sipas mediave italiane, emigranti i cili do të kthehet bën pjesë në kategorinë e pambrojtur për shkak të disa problemeve shëndetësore. Ai do të niset drejt Brindizit, nga e njëjta anije e Marinës italiane.
Lidhur me këtë situatë kanë shkruar disa nga mediat italiane si “La Repubblica” e cila hedh akuza të forta për shpenzimet që qeveria e Romës po bën me marrveshjen. Sipas saj, qeveria “Meloni” ka shpenzuar 42 466 euro për çdo emigrant që ka shkuar deri tani në Gjadër.
“Corriere della Sera” shkruan se ngarkesa e dytë e emigrantëve të destinuar për në qendrën shqiptare të riatdhesimit (në Gjadër) duket pak më shumë se simbolike. Sipas saj edhe ata që erdhën në mes të tetorit u detyruan të dërgohen në Itali.