Një denoncim është bërë në rrjetet sociale, ku disa qytetarë, të cilët kanë marrë pjesë në protestat kundër qeverisë janë përballur me mesazhe kërcënuese në telefonat e tyre. Në denoncim thuhet se qytetarët janë paralajmëruar se janë fotografuar gjatë protestës dhe se do të kontaktohen për tu njohur me akuzat për të cilat do të mbajnë përgjegjësi.
Denoncuesi, i cili është me profesion mësues, thotë se mesazhe të tilla u kanë shkuar edhe kolegëve të tij, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim mes stafit pedagogjik. Ai shprehet se mësuesit nuk kanë kryer asnjë veprim të paligjshëm, por vetëm kanë dalë në mbështetje të studentëve dhe të rinjve.
“Mirembrema! Je i fotografuar si pjesemarres sot ne proteste. Do kontaktoheni neser dhe do t’ju behet me dijeni akuza per te cilen do mbani pergjegjesi”, thuhet në mesazhin që u është dërguar qytetarëve.
Denoncimi:
Keto jane sms qe po na vijne neper tel sot! Jemi te tmerruar ca po na bejne ! Ndjese por se dime ku kemi gabuar qe te na komunikohet nje akuze ! Kemi dale krah rinise, femijeve tane … spo bejme dot gjume rehat nga ky skizofren, nga ky shtet komunist ! Te lutem nese e sheh te arssyeshme publikoje ! Ndjese dhe nje here! Me respekt stafi i mesueseve ! Anonim te lutem.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
Marrë nga Dosja.al