Moti i keq ka paralizuar prej 24 orësh disa nga zonat e vendit për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe shiut.
Në qarkun e Dibrës, shumë njësi administrative janë të bllokuara, përfshirë Lurën, Kalanë e Dodes, Selishtën, Ostrenin dhe Trebishtin, ku lartësia e borës ka arritur deri në 70 cm. Nga ana tjetër në disa fshatra ka munguar energjia elektrike për më shumë se 24 orë. Për shkak të dëborë, bypass-i i Murrizit vijon të jetë i bllokuar për qarkullim.
Në qarkun e Lezhës gjithashtu raportohen po ashtu probleme nga erërat e forta dhe moti i keq. Gjatë natës era ka rrëzuar dy pemë të mëdha pranë oborrit të spitalit rajonal të Lezhës. Pemët kanë rënë sipër një dyqani që ndodhet aty pranë dhe gjithashtu janë dëmtuar disa automjete të parkuara. Në fshatrat e Lezhës ka probleme edhe me energjinë elektrike.
Në zonat e thella të Kukës janë bllokuar qindra banorë, ndërsa gjithashtu raportohet se disa zona kanë edhe probleme me energjinë elektrike.
Mbrëmjen e së dielës me mjetet e Bashkisë Elbasan, ekipet e Shërbimeve Publike u bë e mundur hapja e rrugës nga Griqani i Sipërm deri në fshatin Gur i Zi ku ishin bllokuar rreth 7 mjete me 20 persona. Sot vazhdon puna për hapjen e akseve kryesore të Elbasanit, Labinot Mal, Funar dhe Graçen.
Lëvizja e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë drejt Greqisë vijon të jetë i bllokuar për shkak të motit të keq. Mësohet se shërbimi për largimin e dëborës dhe kriposjen nuk është ndërprerë gjatë gjithë natës dhe se do të vijojë pa ndërprerje edhe gjatë ditës.
Marre nga Dosja.al