Ndanë pragut të shtëpisë, pusi ‘i zi’ nr. 1754-P, tanimë i izoluar me kapak betoni, është shenja që nuk hiqet lehtë për 71-vjeçaren dhe fëmijët e saj, të mëdhenj e të vegjël. “Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?” – ngre shqetësimin nëna 71-vjeçare.
“Këtu janë thuajse të gjithë me karbon në gjak. Ne bejmë check up (analiza) dhe na del gjaku i dyshimtë. Nuk dimë si të veprojmë se moshat tona ikën, po kemi hallin e fëmijëve, brezat tanë, fëmijët e kopshteve, të shkollave, çfarë ajri do marrin ata këtu?”
Banesën e ka në dalje të fshatit Zharrëz, aty ku pak metra më larg qëndrojnë si ngrehina të mëdha plot ndryshk depozita të naftës. “Banorët që jetojnë kryesisht në zonën Patos-Marinëz janë të ekspozuar nga niveli i lartë i ndotjes në mjedis, i cili shkaktohet nga nxjerrja e naftës në këtë zonë. Situata e deritanishme paraqitet e rënduar, e konfirmuar edhe nga raportet e gjendjes së mjedisit”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të hollësishëm.
Përtej së dukshmes, nafta për shumë banorë është parë si bukë e përditshme, por një “bukë me pasoja” të rënda shëndeti. Alarmi është dhënë edhe në raportin e KLSH-së që, duke krahasuar shifrat, del në përfundimin se sëmundjet resporatore, kardiovaskulare dhe malinje janë shumë më të pranishme në zonën naftëmbajtëse të aksit Patos-Marinëz. Në raport KLSH nxjerr një tjetër problematikë po aq të “zezë” sa procesi i nxjerrjes së naftës: Institucionet shtetërore kanë shifra të ndryshme dhe përlasje mes numrit të të sëmurëve, por edhe të dhënave reale mjedisore, duke mbuluar të vërtetën, ose nuk kanë kryer studime të vazhdueshme.
Zharrëz-Marinëz
Të gjithë janë të lidhur me naftën; dikush i punësuar, një tjetër me dhënien e tokave me qira për kompaninë Bankers Petrolium dhe po të gjithë janë në një hall të përbashkët: sëmundjen dhe ndotjen. “Ajri është shumë i ndotur. Nuk hapim dot dyer e dritare, ca nga mjegulla e ca nga erë e gazeve që bëhen bashkë. Ne mbjellim grurë, kemi edhe ullinj dhe nuk marrim dot produkte. Ata, (naftënxjerrësit) u hedhin një solucion dhe vjen squfuri dhe prek lulet, i vret”, – thotë 71-vjeçarja.
Pasi kthen kokën pas e anash, (me frikën mos e dikton kush), na drejton me droje pranë tubit që shkarkon mbetje nafte e cila bashkohet me ujërat e zeza për të marrë udhë nga Zharrëza drejt Semanit. “Në zonën e Patos-Marinzës ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë ndoten seriozisht nga puset e naftës, gjatë nxjerrjes me pompa, nga tubacionet dhe impiantet para trajtimit dhe në ajër shkarkohet gazi sulfurik dhe hidrokarbure të ndryshme. Ujërat e përdorur nga këto impiante shkarkohen në lumin Gjanicë, ku përveç përbërësve të naftës kanë edhe lëndë toksike”, konstaton raporti.
Nafta i mban, nafta i han
Një mesoburrë, ndërsa lan një makinë, tregon se ndotja është e madhe, sidomos kur shpimet në thellësi bëheshin me shpërthime eksplozivi. “Vendosej eksploziv, por banorëve kur ankoheshin i thonim se ka pasur tërmete. Kam shumë vite që punoj te Bankers Petrolium kur e kishin kanadezët dhe tani që e kanë edhe kinezët. Jam zjarrfikës dhe në ndërhyrjen e shpejtë në repartin e avarive”, thotë ai, ndërsa shton: “Unë e di se çfarë bëhet aty me shëndet e abuzime, por nuk dal dot hapur”. Më pas, justifikohet: “është buka e gojës në mes”.
Të “fshehësh” vdekjen!
“Lidhur me të dhënat e administruara nga Roskoveci, krahasuar me ato të 2 qendrave shëndetësore Marinëz dhe Kuman, situata shfaqet problematike, duke vënë në diskutim informacionin e dërguar nga NjVKSh – Fier”, thotë KLSH, pasi ka marrë në shqyrtim të dhënat që vijnë fillimisht nga qendrat shëndetësore me aktivitet të lartë të ndotjes nga nafta, por edhe në rang bashkie. Për vitin 2018, në gjithë Roskovecin deklarohen 30 të sëmurë malinjë, ndërsa për dy qendra shëndetësore Kujan dhe Marinëz (zona me aktivitet naftënxjerrjen) raportohen 22 persona, më tej për 2021 deklarohen 25 në gjithë Roskovecin prej të cilëve 21 nga këto 2 qendra shëndetësore. “Për vitin 2022, deklarohen 25 për gjithë Roskovecin, ndërkohë për këto 2 qendra shëndetësore deklarohen 28 të sëmurë, pra 3 më shumë. Për vitin 2023, deklarohen 37 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 28 të sëmurë malinjë, dhe për vitin 2024, deklarohen 30 për gjithë Roskovecin, ndërkohë që vetëm në 2 QSH deklarohen 27 të sëmurë malinjë”, thotë KLSH teksa pranon se “të dhënat paraqesin mangësi”, duke lënë hapësirë për fshehjen reale të të sëmurëve.
“Duke vlerësuar të dhënat e ardhura vetëm nga 2 QSH, (shënim: Qendra Shëndetësore), rezulton se në zonën e Marinzës dhe asaj të Kumanit, situatat shëndetësore mund të konsiderohet alarmante, pasi numri i personave me sëmundje malinje është relativisht i lartë, ku çdo vit janë 20 deri në 30 persona me sëmundje malinje, ku për krahasim, për të njëjtën periudhën (tre vitet e fundit) Bashkia Belsh ka 100% deri në 500% më pak raste se sa 2 QSH të Roskovecit”, konstaton KLSH. Në raport ky institucion ka marrë të dhëna statistikore nga bashkitë Fier, Patos, Mallkastër Roskovec dhe Belsh. Në këtë rast Belshi është përfshirë si “rast studimor”, pasi cilësohet me rrezik të ulët ndotjeje dhe të dhënat për këtë bashki kanë shërbyer si krahasuese me bashkitë e tjera të Qarkut Fier që kanë ndotje në nivel të lartë nga aktiviteti i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës.
Bankers nuk paguan
Një tjetër shqetësim që ngrihet nga banorët që kanë dhënë me qira për shfrytëzim tokën e tyre është mungesa e korrektesës së pagesa nga ana e kompanisë Bankes Petrolium. Për një dynym tokë të marrë me qira për shfrytëzim kompania është dakordësuar të japë 400 mijë lekë në vit, një shifër e pranueshme për banorët që të ardhurat nga bujqësia i kanë të pakëta, kjo edhe për shkak të prodhueshmërisë së ulët që ndikohet nga ndotja. “Para pesë vitesh nënshkruam kontratën e qirasë dhe i merrnim paratë për dy javë. Tani do të lutesh dhe shkosh pas zyrave të tyre që të marrësh paratë tua, paratë e fëmijëve”, thotë Tajar Bine.
Ai shton se këtë problem nuk e kanë pasur kur kjo kompani drejtohej nga kanadezët, por tashmë që pronësia dhe administrimi i kaloi kompanisë kineze, sipas tyre kanë problem me likujdimin e qirave për tokën. “Kjo kompani tashmë nuk kujdeset për ambientin në radhë të parë dhe pastaj për kontratat e qirasë që kanë”, shton Bine.
Institucione në ajër
I përmbledhur në disa pika, raporti i KLSH-së nisur vetëm nga një studim i një zone të ngushtë del në përfundimin se institucione lokale dhe qëndrore jo vetëm nuk kanë monitoruar situatën mjedisore për ndotjen, por nuk kanë asnjë të dhënë për më shumë se 10 vite. Në nivel mjaft “amator” përsa u përket dy shtyllave kryesore; mjedis dhe shëndet janë bashkitë që mbulojnë territorin e zonave naftëmbajtëse.