Nga 1 janari i vitit që vjen pensionistët në Tiranë do të udhëtojnë me autobus falas. Vendimi u morr nga Këshilli Bashkiak i Tiranës vetëm me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste.
Ky vendim adreson nevojat e pensionistëve për transport publik falas dhe është një premtim i mbajtur nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të mbështetur kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, duke lehtësuar sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat ata përballen çdo ditë.
Abonimet do të financohen plotësisht nga Bashkia e Tiranës dhe do të jenë të disponueshme për studentët e regjistruar në institucione arsimore dhe për pensionistët mbi 60 vjeç për gratë dhe mbi 65 vjeç për burrat. Numri i pensionistëve brenda territorit të Bashkisë së Tiranës është rreth 178 mijë. Bashkia e Tiranës do të monitorojë performancën e operatorëve të transportit, duke përdorur sisteme të avancuara, për të siguruar që shërbimi të ofrohet në përputhje me standardet më të larta.
Ndërkaq, Këshilli Bashkiak i Tiranës i dha dritën jeshile vendimit që ka si qëllim përmirësimin e procedurave dhe përfshirjen e të gjithë individëve dhe familjeve që kanë nevojë për ndihmë në rindërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera të dëmtuara nga tërmeti.
Vendimi parashikon miratimin e listave të përfituesve, të cilët janë verifikuar dhe përzgjedhur sipas kritereve ligjore për të përfituar grante rindërtimi ose për zhvillimin e objekteve të reja. Ai gjithashtu siguron përfshirjen e vendimeve gjyqësore që mund të kërkojnë ndryshime në listat e mëparshme të përfituesve, si dhe adresimin e gabimeve materiale që janë evidentuar në dokumentacionin e subjekteve.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij projektvendimi është dhe mundësia e ndryshimeve në programet e rindërtimit, duke akomoduar përfituesit në zona të reja zhvillimi, në rast se rindërtimi në truallin ekzistues nuk është i mundur. Ky hap është një mundësi për të garantuar që të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë e tyre do të mund të rindërtojnë dhe përmirësojnë kushtet e jetesës.
Po ashtu, vetëm me votat e këshilltarëve socialistë, u miratua ndihma ekonomike për 245 familje në nevojë si dhe subvencioni i qirasë për disa familje të tjera.
Marrë nga Top Channel