Nga 1 shtatori, operatorët e transportit publik në Tiranë do të operojnë me flotë të reduktuar rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion. Vendimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme të operatorëve për zgjatjen e periudhës së kompensimit të naftës, pasi kostot e operimit me flotë të plotë janë bërë të papërballueshme.
Në letrën e kësaj të hëne, të 31 gushtit, dërguar Kryeministrisë, Ministrive të Ekonomisë dhe Infrastrukturës e Energjetikës, si dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqatat e Transportit nënvizojnë se masa e reduktimit është pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit.
Shoqatat e transportit gjithashtu theksojnë se reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.
Që prej muajit maj, shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën. Vetëm gjatë muajit gusht, Shoqatat e Transportit kanë përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimit mbetet e papërballueshme dhe se vështirësitë financiare do t’i detyronin të reduktonin mjetet për lëvizjen e qytetarëve.
Por, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme adresuar pranë institucioneve përgjegjëse, operatorët vijojnë të përballen me mosrealizimin e kompensimit, ndërkohë që për një pjesë të kërkesave dhe problematikave të ngritura nuk është dhënë ende një përgjigje apo një zgjidhje konkrete institucionale. Shoqatat e transportit publik nënvizojnë se kjo situatë, e kombinuar me nivelin e lartë të kostos së karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve dhe mundësinë e tyre për të përballuar kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve, duke i detyruar të ndërmarrin masa për reduktimin e tyre.
Marrë nga Syri.net