Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka publikuar një raport alarmues, sipas të cilit më shumë se 840,000 persona humbin jetën çdo vit për shkak të rreziqeve psikosociale në vendin e punës. Këto rreziqe lidhen kryesisht me orët e gjata të punës, pasigurinë në punë dhe ngacmimin, duke shkaktuar sëmundje kardiovaskulare, çrregullime mendore dhe raste vetëvrasjeje.
Pasojat shëndetësore përkthehen në rreth 45 milionë vite jetë të humbura çdo vit, ndërsa kostoja ekonomike globale arrin në 1.37% të PBB-së. Vetëm në Evropë, mbi 112,000 vdekje lidhen me këto faktorë, duke sjellë një humbje prej 1.43% të PBB-së rajonale.
Shefja e Politikave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë të ILO-s, Manal Azzi, e cilësoi këtë fenomen si “një nga sfidat më të mëdha të botës moderne të punës”, duke nënvizuar se përmirësimi i kushteve të punës është jetik për shëndetin, produktivitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Sipas raportit, 35% e punëtorëve në botë punojnë mbi 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë rrit ndjeshëm rrezikun e goditjes në tru dhe sëmundjeve të zemrës. Përveç kësaj, 23% e punëtorëve kanë përjetuar dhunë ose ngacmim në vendin e punës. Efektet më të zakonshme përfshijnë depresionin, ankthin, lodhjen kronike dhe çrregullimet e gjumit.
ILO rekomandon organizim më të mirë të punës, mbështetje për punëtorët dhe politika të qarta për të parandaluar këto rreziqe, duke theksuar se shëndeti i punëtorëve është një faktor kyç për ekonominë dhe shoqërinë.
Marrë nga Protothema.gr