Prokuroria e Posaçme nuk është aspak dakord me lirimin para kohe nga burgu të ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar me tre vendime jo-përfundimtare për atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”.
Në Shkurt 2026, Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e marrë nga shkalla e parë për lirimin para kohe të Kokës, nën argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka bërë rekurs ndaj këtij vendimi, duke këmbëngulur se Lefter Koka duhet të rikthehet në ambjentet e paraburgimit.
Ligji procedurial parashikon që rekursi t’i njoftohet menjëherë të pandehurit. Por, në rastin e Kokës, ai rezulton se nuk ka marrë njoftim nëpërmjet shërbimit postar.
Gjykata e Apelit të Posaçëm thotë në një njoftim publik se “kërkuesit/të pandehurit Lefter Haki Koka nuk i është komunikuar rekursi, pasi nga shërbimi postar është kthyer dëftesa e komunikimit me shënimin: “Larguar”.
Në këto kushte, Gjykata ka vendosur të përdor mekanizmin e fundit ligjor të njoftimit, atë të “shpalljes publike”.
Lirimi para kohe i Lefter Kokës
Ish-Ministri i Mjedisit, Koka, i arrestuar në dhjetor 2021 për “shpërdorim detyre”, “pastrim produktesh të veprës penale” dhe “korrupsion” është dënuar me tre vendime jo-përfundimtare për atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës”.
Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme mori në shqyrtim kërkesën e tij për lirim, si pasojë e përfundimit të afateve maksimale të paraburgimit.
Prokuroria e Posaçme e kundërshtoi këtë kërkesë, me argumentin se ajo nuk qëndron procedurialisht. Por, Gjykata e Posaçme e pa situatën shumë ndryshe.
Sipas trupës gjyqësore, Lefter Koka kishte tejkaluar afatet e paraburgimit, bazuar në një intepretim që ka bërë më herët Gjykata e Lartë lidhur me llogaritjen e kohës në qeli, në rastet kur ka mbivendosje të masave të sigurimit dhe dënimeve penale.
Për Gjykatën e Posaçme, SPAK-u nuk ka arritur ta kuptojë si duhet orientimin që ka dhënë Gjykata e Lartë në një vendim të vitit 2024. Dhe, në konkluzon, vendimi lirimin nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit.
Prokuroria e Posaçme e ankimoi vendimin. Gjykata e Apelit të Posaçëm, në 26 Shkurt 2026, la në fuqi vendimin për lirimin e Kokës. Ky vendim bazohet në orientimin e Gjykatës së Lartë, një orientim që, sipas trupës së Apelit, gjithësesi, “ngre pikëpyetje për zbatueshmërinë dhe domosdoshmërinë e tij”.
Arrestimi dhe dënimi i Lefter Kokës
Lefter Koka u arrestua në 14 dhjetor të vitit 2021, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Më tej, ndaj tij u caktuan masa sigurimi “arrest me burg” edhe për “inceneratorin e Fierit” dhe “inceneratorin e Tiranës”.
Ndaj tij u zhvilluan tre procese gjyqësore paralele, të cilat nuk u bashkuan kurrë, megjithëse kishin dinamikë, zhvillim dhe personazhe thuajse të njëjtë.
Në shtator të vitit 2023, Koka u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim edhe për “inceneratorin e Fierit”. Ky rast ëshë ende në shqyrtim, pasi Gjykata e Lartë e ka rikthyer në Apelin e Posaçëm.
Në nëntor 2024, Lefter Koka u dënua nga Apeli i Posaçëm për aferën e inceneratorit të Elbasanit, me 10 vjet burgim. Për shkak të procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj.
Për “inceneratorin e Tiranës, Koka u dënua me 3 vjet e 4 muaj në Prill të vitit 2025. Edhe ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar dhe Lefter Koka u dënua përfundimisht me 2 vjet burgim. Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme shpalli se Koka e ka shlyer këtë dënim me periudhën e paraburgimit. Ky rast është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Në mënyrë të përmbledhur, përgjatë katër viteve të fundit mbi Lefter Kokën kanë rënduar tre dënime dhe tre masa sigurimi “arrest në burg”.
Marrë nga Boldnews.al