Protestuesit u tërhoqën zvarrë nga forcat e policisë dhe u nxorën nga zona e protestës pas përplasjeve me kordonin e sigurisë para godinës së Kuvendit, ndërsa dhjetëra qytetarë u shoqëruan gjatë protestës që përkoi me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Policia kishte vendosur gardhe metalike dhe kordonë sigurie përreth godinës, ndërsa disa rrugë dhe hyrje ishin të bllokuara. Sipas burimeve jozyrtare, rreth 1,600 efektivë ishin angazhuar në terren.
Forcat e policisë ndërhynë ndaj protestuesve që tentuan të kalonin barrierat e vendosura rreth Parlamentit. Disa prej tyre u kapën nga efektivët dhe u larguan me forcë nga zona, ndërsa protestuesit hodhën vezë dhe domate në drejtim të policisë dhe deputetëve socialistë.
Persona me veshje civile u panë duke ndërhyrë ndaj protestuesve dhe duke i shoqëruar ata nga zona e protestës. Nuk është e qartë nga pamjet nëse bëhet fjalë për punonjës policie me rroba civile apo për persona të tjerë.
Policia nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar për numrin e personave të shoqëruar, por sipas postimeve në rrjetet sociale, të paktën 11 persona u shoqëruan gjatë mbrëmjes dhe u lanë të lirë gjatë natës.
Mes tyre ishin aktivistja Arvina Lleshi, Griselda Katirai, Vilson Kulemani, Shpend Gashi dhe Adriatik Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”. Lleshi dyshohet se u shoqërua pas një përplasjeje verbale me deputeten socialiste Iris Luarasi.
Dy protestues u shoqëruan gjithashtu pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa Mustafa Veizi u arrestua të mërkurën nën dyshimin se kishte hedhur vezë në drejtim të automjetit të deputetes socialiste Ilva Gjuzi.
Përplasjet ndodhën në ditën e 101-të të protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Policia kishte vendosur gardhe metalike dhe kordone sigurie përreth godinës së Kuvendit, ndërsa disa rrugë dhe hyrje ishin të bllokuara.
Burime jozyrtare të cituara në material thanë se rreth 1,600 efektivë ishin angazhuar në terren. Tensionet u rritën pranë një parkingu hoteli, ku ishin pozicionuar efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Që prej nisjes së protestave masive, në atë që quhet “Revolucioni i Flamingove”, rreth 160 qytetarë janë shoqëruar në polici dhe dhjetëra të tjerë janë proceduar penalisht.
14 qytetarë u arrestuan vetëm mbrëmjen e 1 shtatorit, pas përplasjeve me kordonin e sigurisë pranë Kryeministrisë. Megjithatë, arrestimet e protestuesve, përpos rasteve të dhunës, Gjykata i ka cilësuar të padrejta dhe qytetarët janë lënë të lirë.
Parlamenti nis punën mes përplasjeve
Ndërsa protestuesit përplaseshin me policinë jashtë godinës, deputetët u rikthyen në sallën e Kuvendit pas rreth 40 ditësh pushime për të nisur sesionin e ri parlamentar.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi integrimin evropian në krye të prioriteteve, ndërsa opozita kritikoi qeverinë dhe mënyrën e funksionimit të parlamentit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gaz Bardhi, akuzoi qeverinë për korrupsion dhe iu referua përgjimeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
“Modeli KAYO i Ermal raketës po projektohet dhe për shëndetësinë. Një shoqëri e re, që do të ketë në dorë miliardat e eurove të shëndetësisë. Një model ky që ndodh kur shqiptarët paguajnë më shumë se çdo vend tjetër i Europës për shërbimet shëndetësore. Tani doni të vidhni sërish me miq të rinj të Edi Ramës. Rama bën pazarin, qeveria përgatit ligjin dhe ky ligj është në favor të privatit. Kryeministri ka plane vjedhjeje dhe ju veç nxirrni kartonët”, tha Bardhi.
Mazhoranca nuk iu përgjigj drejtpërdrejt akuzave, por kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi bashkëpunimin e opozitës për arritjen e një dakordësie mbi Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.
Seanca zgjati rreth një orë dhe përfundoi me votimin e Klodiana Spahiut si ministre e re e Shëndetësisë dhe Evis Kushit si zv.kryetare e Kuvendit.
Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votime dhe u larguan nga salla, ndërsa mazhoranca vijoi procedurat parlamentare, me votimin e Klodiana Spahiut si ministre e re e Shëndetësisë dhe Evis Kushit si zv.kryetare e Kuvendit.
Marrë nga Shteg.org