Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në një video të postuar në rrjetet sociale lidhur me premtimet dhe veprimet e fundit të qeverisë në raport me pensionistët. Tabaku theksoi se qeveria ka shpërfillur plotësisht nevojat e kësaj kategorie, duke bërë vetëm premtime boshe dhe pa asnjë ndihmë konkrete nga buxheti i shtetit.
“Kam tre javë që flas me pensionistët dhe kam krijuar kontakte të drejtpërdrejta me ta. Më vjen mirë që ndonjëherë edhe më dëgjojnë”, shprehet Tabaku, duke nënvizuar se qeveria e kujton çështjen e pensionistëve vetëm pasi ajo vetë ka ngritur zërin për këtë kategori të margjinalizuar.
“Si është e mundur që për pensionistët nuk gjenden 20 lekë, ndërkohë që qeveria pretendon dyfishimin e produktit të brendshëm bruto (PBB), por gjysma e kësaj PBB-je shkon për koncesionet?” pyeti Tabaku. “Të flasësh si opozitë, kur ke 12 vite në pushtet dhe të ankohesh për veten tënde, është e papranueshme, ” shtoi ajo.
Në përmbyllje të mesazhit, deputetja demokratike nënvizoi se qeveria vazhdon të prodhojë vetëm justifikime për pensionistët, ndërsa miliona lekë shkojnë për të dyshuarit e përhershëm përmes PPP-ve.
Reagimi
Kam tre javë që flas me pensionistët, kam takuar dhe kam krijuar kontakte me ta, dhe më në fund edhe qeveria u kujtua të flasë për ta. Më vjen mirë që ndonjëherë edhe më dëgjojnë. Dy elemente për të theksuar:
Së pari, rritja e pensioneve është vetëm 20 lekë në ditë. Çfarë dëgjuam sot në mëngjes? Dukej sikur fliste lideri i opozitës, sikur nuk ka 12 vjet në pushtet. Nxori justifikime pa fund, por asnjë lek nga buxheti i shtetit. Tha se është rritur informaliteti në një mënyrë të pashoqe dhe ekonomia informale është zgjeruar. Por kush është fajtor që shqiptarët punojnë në të zezë? Kush i rriti taksat? Kush e komplikoi sistemin?
Ai tha gjithashtu që tregjet janë rritur, monopolet janë forcuar dhe është e pamundur të operosh për shkak të rritjes së çmimeve. Por kush e ka fajin sot që ka monopole dhe që ekonomia është përqendruar në pak duar? Nuk është e mundur të paguash pensionistët sepse ky është buxheti i shtetit, tha ai. A nuk kanë muaj që thonë se e kanë dyfishuar produktin e brendshëm bruto? Si nuk u gjendën 20 lekë për pensionistët, kur 50% e PBB-së sot shkon për koncesione?
Të flasësh si opozitë kur qeveris prej 12 vjetësh dhe të ankohesh për veten tënde? Nuk di qeveri në botë ta bëjë këtë!