Mbledhja e fundit e këshillit bashkiak të Durrësit u zhvillua në një atmosferë të tensionuar të shkaktuar nga vendimi për miratimin e ndarjes së sipërfaqes bregdetare, ku në çdo 1 kilometër 70% e plazhit do të jepet për përdorim privat dhe 30% do mbetet plazh publik.
Kjo është harta, e miratuar me 35 vota pro nga mbledhja e kësaj të mërkurë e Këshillit Bashkiak, ku nuk munguan as debatet.
Ardian Muka: Me rregulloren e re, parcelat mund të merren vetëm nga hotelet; restorantet dhe baret nuk kanë të drejtë ta marrin! Pjesa tjetër, kundrejt rregullores 70:30 për ndarjen e sipërfaqeve, kemi një rënie të shfrytëzimit të saj nga hotelet? Sepse, nëse kemi rënie, atëherë kemi më pak të ardhura në qytet. 30% nuk është shpërndarë në mënyrë uniforme, përderisa u japim të drejtën hoteleve, të cilat do të zhvillojnë aktivitetin aty ku ndodhen.
Ervis Mullaj: Nuk kemi të dhëna të sakta, sepse nuk e përcakton bashkia subjektin përfitues. Ne thjesht propozojmë dhe janë organet e tjera që vendosin.
Dritan Burgija: Bashkia i jep parcelat! Jo vetëm turistët bëjnë plazh. Ka edhe qytetarë që bëjnë plazh ditor, dhe flas si qytetar dhe aplikant për stacion plazhi. Duhen përjashtuar zona të caktuara që shërbejnë si zona të pabanuara.
Marrë nga Shqiptarja.com