Java e dhjetë e Abissnet Superiore ka dhuruar emocione dhe ndryshime në renditjen e kampionatit.
Në tri takimet e zhvilluara sot, fitore regjistruan Elbasani dhe Egnatia, ndërsa përballja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë u mbyll në barazim.
Rezultatet e kësaj jave nuk kanë qenë pozitive për Tiranën dhe Laçin, të cilat dolën pa pikë nga ndeshjet e tyre.
Një nga skuadrat që po kalon një moment të mirë është Elbasani, nën drejtimin e trajnerit Glen Daja.
Verdheblutë kanë regjistruar rezultate pozitive dhe tashmë janë ngjitur në vendin e katërt të klasifikimit, duke konfirmuar ambiciet për një sezon sa më të suksesshëm.
Në krye të renditjes vazhdon të qëndrojë Egnatia. Kampionët në fuqi synojnë të thellojnë diferencën me ndjekësit dhe aktualisht kanë katër pikë avantazh ndaj Teutës, e cila do të luajë nesër përballë Partizanit.
Dinamo mban vendin e tretë, por ka përpara një sfidë të rëndësishme ndaj Vorës, që do të zhvillohet ditën e nesërme.
Ndërkohë, gara në mesin e tabelës mbetet mjaft e ngushtë. Tirana renditet në vendin e pestë, ndërsa Skënderbeu, Vora dhe Laçi ndjekin me vetëm një pikë më pak, duke e bërë çdo rezultat vendimtar për pozicionet në klasifikim.
Në fund të tabelës situata mbetet shqetësuese për dy emra historikë të futbollit shqiptar.
Partizani ndodhet në vendin e fundit dhe ka pesë pikë më pak se Vllaznia, ndërsa gara për mbijetesë pritet të bëhet gjithnjë e më e fortë në javët e ardhshme.
Me disa ndeshje ende për t’u zhvilluar, java e dhjetë mund të sjellë ndryshime të tjera në një kampionat ku diferencat mes skuadrave mbeten të vogla.
Marrë nga Syri.net