Për më shumë se dy dekada, një nga kompanitë më të mëdha metalurgjike në Shqipëri dyshohet se ka prodhuar qindra mijëra ton mbetje të rrezikshme. Por ajo që sot ngre alarmin nuk është vetëm prodhimi, por zhdukja e tyre.
Kompania metalurgjike Kurum International dyshohet se ka prodhuar nga proceset industriale të përpunimit të çelikut rreth 210 mijë ton mbetje toksike gjatë 20 viteve operim në Shqipëri. Vetëm për vitet 2023–2024, shifra arrin në rreth 20 mijë ton. Por në dokumente rezultojnë të shitura vetëm 5300 ton. Pra, 15 mijë ton mbetje të rrezikshme nuk dihet ku kanë përfunduar.
Hetimet e prokurorisë zbuluan skemën që konsistonte në krijimin e një rrjeti kompanish të lidhura mes tyre, që blinin mbetjet dhe më pas i eksportonin duke falsifikuar deklarata doganore.
Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht 2024 nga organizata mjedisore “Basel Action Network” (BAN), me seli në Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, një anije e madhe kontejnerësh e linjës “Maersk” u zhduk nga radarët në fund të korrikut pranë Cape Town, në Afrikën e Jugut, pasi kishte bërë një sinjalizim tek autoritetet vendase. BAN dyshon se kjo anije, së bashku me një tjetër të së njëjtës linjë, kishin transportuar mbetje të rrezikshme të ngarkuara në Shqipëri.
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se mbetjet e tilla përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut dhe ekosistemin, veçanërisht kur nuk trajtohen sipas standardeve.
Banorët e Porto Romanos, aty ku u vendosën kontejnerët e rikthyer, protestuan për më shumë se një vit e gjysmë tek autoritetet për largimin e mbetjeve toksike. Më 30 mars 2025 kontejnerët u zhvendosën në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, përballë lagjes së re të ndërtuar për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Edhe në vendndodhjen e re, kontejnerët mbeten të ekspozuar ndaj kushteve atmosferike, çka rrit rrezikun e dëmtimit, ndërsa ende nuk është e qartë nëse do të pritet përfundimi i procesit gjyqësor për asgjësimin apo trajtimin e mëtejshëm të mbetjeve.
Nga Lushnja, në Kroaci, qarkullimi i mbetjeve brenda familjes
Një shtëpi dykatëshe, e lyer gri dhe e pozicionuar në një lagje të qetë në qytetin e Rijekës, Kroaci, është godina e kompanisë që bleu mbetje të rrezikshme nga Shqipëria, për 141 mijë dollarë.
Në dokumente, kompania rezulton një subjekt i vogël me vetëm një të punësuar dhe me funksion “broker”, pra një ndërmjetës që lidh marrëveshje dhe kontrata mes kompanive ndërkombëtare.
Sipas administratores Gjovana Sokolaj, ky ishte pikërisht qëllimi i saj. Të shërbente si hallkë lidhëse në tregtinë e materialeve që kalonin nga një vend në tjetrin, shpesh me destinacione të largëta si Tajlanda.
Por pas këtij funksioni formal, “GS Minerals” rezulton e lidhur ngushtë me një rrjet kompanish të kontrolluara nga e njëjta familje, Sokolaj.
Në qytetin e vogël të Lushnjës, Gjovana, e martuar me Doni Sokolaj, i lindur në Rijeka të Kroacisë, themeluan në korrik të 2006 kompaninë “Sokolaj Shpk”, aktiviteti i të cilës ishte shitja e gomave të përdorura që silleshin nga Kroacia në Lushnje.
Por në 2013 biznesi i familjes do të ndryshojë krejtësisht. Njohja me një shtetas turk, një i afërm i drejtuesve të kompanisë Kurum, do të përfshinte çiftin Sokolaj në biznesin e metalurgjisë.
Serdar Can Hakliol, nënshtetas turk, do të blinte për 50.000 lekë gjysmën e aksioneve të kompanisë së gomave në Lushnje. Çuditërisht, po me të njëjtën vlerë turku i shet këto aksione pas një viti, ndërkohë që dokumentet tregojnë se mes familjes Sokolaj dhe turkut ka lidhje të afërta me kompaninë Kurum.
Gjatë viteve kompania ka zgjeruar objektin e veprimtarisë së saj nga grumbullimi e deri eksporti i mbetjeve industriale jo të rrezikshme, deri në grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme, si dhe duke regjistruar adresën në qytete të ndryshme të vendit: Durrës, Shkodër, Elbasan.
Tre vite më vonë, Gjovana Sokolaj dhe Serdar Can Hakliol do të blinin së bashku me 100 mijë lekë kompaninë “Florester Metalik”, objekti i së cilës është importi dhe eksporti i mallrave.
Shteg.org nuk mundi të vërtetojë lidhjet me familjen Sokolaj dhe biznesmenin turk, por dokumentet tregojnë se kompanitë e krijuara nga çifti shqiptaro-kroat u përfshinë në biznesin e eksportit të mbetjeve të prodhuara nga kompania Kurum, e cila vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, kompania “Kurum International” nuk iu përgjigj pyetjeve për koment që “shteg.org” dërgoi, por ekspertët thonë se menaxhimi i mbetjeve është një nga shqetësimet kryesore që kanë kompanitë në vend, jo vetëm për shkak se në Shqipëri nuk ka kompani të specializuara që garantojnë asgjësimin, por mbi të gjitha edhe për shkak të rregullave të forta që kërkon ky proces.
“Në dijeninë time, Shqipëria nuk ka kapacitete të trajtojë mbetje të rrezikshme, që vijnë jo vetëm nga industria e përpunimit të metaleve, por edhe nga procese të tjera industriale dhe teknologjike. Pra, Shqipëria nuk e ka këtë kapacitet për t’i trajtuar dhe si pjesë nënshkruese e Konventës së Bazelit, Shqipëria mund t’i transferojë mbetjet. Pra, Konventa e Bazelit bën pikërisht këtë lloj rregullimi, të transferimit të mbetjeve të rrezikshme ndërmjet shteteve që janë nënshkruese” – thotë drejtuesi i EcoAlbania, Olsi Nika.
Dokumentet tregojnë se kompania Sokolaj, edhe pse nuk ka pasur leje për eksport të mbetjeve të rrezikshme, ka vijuar veprimtarinë e saj në kundërshtim me ligjet.
2800 tonët e mbetjeve të rrezikshme të Kurumit, të cilat u rikthyen në Shqipëri pas një alarmi ndërkombëtar, rezultojnë të mos jenë të vetmet ngarkesa të destinuara për jashtë.
Në të paktën tre raste të tjera, një total prej gati 1300 tonësh të tjerë është arritur të dalë jashtë vendit nga shoqëria Sokolaj, e Gjovana Sokolajt.
Hetimi ka zbuluar se përmes kompanisë tjetër kroate GS Minerals d.o.o., të kontrolluar po nga Gjovana, janë firmosur me EMS Albanian Port Operator katër kontrata qiraje për depozitim të oksidit të zinkut në terminalin lindor të Portit të Durrësit, që shtrihen në periudhën shtator 2022 deri në shtator 2024.
Po ashtu, të dhënat hetimore zbulojnë se në kërkesat e refuzuara për autorizim eksporti, kompania Sokolaj flet për marrëveshje për tërheqjen nga kombinati metalurgjik të të paktën 25 mijë tonë mbetje me kod 10 02 07* (mbetje të ngurta nga trajtimet e gazeve që përmbajnë substanca të rrezikshme), të cilat deklarohen se në vitin 2023 gjendeshin stok.
Ndërsa është vërtetuar nga faturat doganore se eksportet nga Sokolaj arrijnë të paktën 4100 ton, mbetet e paqartë se çfarë është bërë me pjesën tjetër të mbetjeve të Kurumit.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka arritur në përfundimin se kompanitë “Sokolaj sh.p.k” dhe “Kurum International” kanë qenë në dijeni të natyrës së rrezikshme të mbetjeve dhe kanë ndërmarrë veprime për t’i paraqitur ato si produkte tregtare.
“Shoqëria Sokolaj dhe Kurum kanë pasur marrëdhënie bashkëpunimi të vazhdueshme për të eksportuar pikërisht këtë lloj mbetjeje të rrezikshme me kod 10 02 07*. Mosdhënia e autorizimit nga Ministria e Mjedisit për të eksportuar këtë lloj mbetjeje ka bërë që shoqëria Sokolaj dhe Kurum ta eksportojnë këtë mbetje në kundërshtim me ligjin, pa autorizimin përkatës, duke fshehur natyrën e vërtetë të mbetjes në aktet shkresore, pavarësisht se nëpërmjet pasaktësive dhe mospërputhjeve mes tyre, konkludohet në mënyrë të arsyeshme se objekti i shitblerjes kanë qenë pikërisht mbetjet me kod 10 02 07*” – thuhet në dosjen hetimore.
Eksperti i mjedisit Olsi Nika thekson se në industrinë metalurgjike, në shumicën e rasteve, kompanitë madje paguajnë për largimin e mbetjeve të tilla, duke e bërë edhe më të dyshimtë mënyrën se si ato janë trajtuar në këtë rast.
“Jo në të gjitha rastet shiten. Madje në shumicën e rasteve paguajnë për t’i larguar. Për këtë të jeni të bindur. Pra industria e përpunimit po themi, të metalit, në rastin e mbetjeve të tilla, është e detyruar që të paguajë për largimin dhe trajtimin deri në fund të tyre.” – u shpreh eksperti Nika.
Skema e dyshuar e mbetjeve industriale funksiononte në disa hallka të lidhura mes tyre, ku mbetjet e prodhuara nga “Kurum International” sh.a. në Shqipëri, të klasifikuara si “oksid hekuri”, shiteshin fillimisht si nënprodukt industrial për një vlerë të ulët te “Sokolaj sh.p.k.”, dhe më pas rihynin në qarkullim përmes kompanive të lidhura si “GS Minerals”, duke u rishitur me çmime më të larta dhe duke ndryshuar destinacion dhe dokumentacion gjatë rrugës.
Hetimet dhe dokumentet e siguruara nga “Inside Story” tregojnë se marrëdhëniet tregtare të dyshimta mes familjes Sokolaj dhe “Kurum International” nuk janë një zhvillim i fundit, por datojnë të paktën që nga viti 2018.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me mungesën e gjurmueshmërisë së mbetjeve. “Kurum International” sh.a. nuk ka vënë në dispozicion të plotë formularët e transferimit të mbetjeve të kryera me “Sokolaj sh.p.k.”, duke lënë të paqartë destinacionin final të tyre.
Ndërsa hetimet, dokumentet apo dhe dëshmitë e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se mbetjet e prodhuara nga kompania Kurum eksportoheshin në mënyrë të dyshimtë nga njëra kompani në tjetrën, OLAF sinjalizoi Drejtorinë Antitrafik për ngarkesën, për të cilën dyshohej se transportonte mbetje të rrezikshme.
Por pavarësisht sinjalizimit nga një institucion i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, Drejtorisë Antitrafik iu deshën 20 ditë për të vepruar.
Pas dy vitesh hetime, organi i akuzës vendosi masa sigurie për të paktën 33 persona, të dyshuar për përfshirje në skemën e kontrabandimit të mbetjeve toksike.
Por pavarësisht këtij vendimi, 13 prej personave të konsideruar kyç në këtë aktivitet, pasi kanë qenë drejtues të subjekteve, janë arratisur.
Masat e sigurisë në skemën e mbetjeve të rrezikshme …
Në kuadër të hetimeve për skemën e dyshuar të menaxhimit dhe kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme, Prokuroria e Durrësit ka vendosur masa sigurie ndaj një numri të madh personash, përfshirë administratorë kompanish, punonjës të institucioneve shtetërore, zyrtarë doganorë dhe përfaqësues të subjekteve private. Masat variojnë nga “arrest me burg” deri në “arrest shtëpiak”, në varësi të rolit dhe përgjegjësisë së dyshuar në aktivitet.
Erdal Demir – Administratori i “Kurum International”, në arrest me burg
Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum”, në arrest me burg
Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj”, në arrest me burg
Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals, në arrest me burg
Olizana Pemati – Ish-administratore e kompanisë “Sokolaj”, në arrest me burg
Mujo Ilazaj – Drejtor i Transportit në kompaninë “Kurum”, në arrest me burg
Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum”, në arrest me burg
Harun Sarica – Drejtor i prodhimit të çelikut në “Kurum”, në arrest me burg
Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum”, në arrest me burg
Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit të shitjeve në “Kurum”, në arrest me burg
Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj”, në arrest shtëpiak
Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition”, në arrest me burg
Mbarime Koroçi – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource”, në arrest me burg
Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N”, në arrest me burg
Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N”, në arrest me burg
Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve, në arrest me burg
Julian Kapedani – Dega e Doganës Durrës, në arrest me burg
Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës, në arrest me burg
Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës, në arrest me burg
Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës, në arrest me burg
Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës, në arrest me burg
Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO, në arrest me burg
Gazmend Sina – Punonjës i EMS APO, në arrest me burg
Ingo Hesse – Administrator i EMS APO, në arrest me burg
Arta Dollani – Ish-drejtoresha e Përgjithshme e AKM, në arrest shtëpiak
Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM, në arrest shtëpiak
Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim-Kontrollit, AKM, në arrest me burg
Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM, në arrest shtëpiak
Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM, në arrest shtëpiak
Kejdi Ahmetaj – Drejtoria e Inspektimit, AKM, në arrest me burg
Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, në arrest shtëpiak
Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, në arrest me burg
Në një përgjigje zyrtare për “shteg.org”, Prokuroria e Durrësit bëri me dije se këta persona janë shpallur në kërkim dhe se po vijon puna për lokalizimin e tyre, përfshirë edhe nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Janë shpallur në kërkim të gjithë personat që nuk është bërë e mundur të gjenden as në banesë dhe as në vendin e punës,” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.
E njëjta skemë por edhe kompani offshore
Mbarime Koroçi është në listën e gjatë të emrave që Prokuroria e Durrësit ka shpallur në kërkim si një nga personat e përfshirë në kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme dhe pastrim parash.
Gruaja 68-vjeçare është bashkëaksionere me shtetasin kinez Wen Ming lindur dhe banues në Guangxi të Kinës, të kompanisë “Alliance Resource”, të themeluar në vitin 2017, por që dy vite më vonë siguroi të drejtën e shfrytëzimit për 20 vite të një pasurie publike me sipërfaqe totale prej 57,390 m², me qëllimin për ngritjen e një linje prodhimi të oksideve të zinkut, hekur-nikelit dhe nikel-silikatit.
Gruaja rreth të 70-tave duket se është një person që thjesht figuron në dokumente, pasi kompania zotërohet nga djali i saj, Aurel Koroçi, lidhjet e të cilit me Kinën janë të hershme, që kur ai ishte djalë i ri dhe kreu studimet atje.
“Në fakt kompania është themeluar nga unë dhe falë lidhjeve që kisha krijuar vendosëm të vinim të investonim në Shqipëri” – thotë për “shteg.org” Aureli Koroçi, i cili pretendon se kompania e tij nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore sa i përket kontratave të eksportit të mbetjeve të prodhuara nga kompania “Kurum International” sh.a.
“Mbarime Koroçi është nëna ime, është e pafajshme. Ato akuza ne na kanë lënë pa fjalë, nuk e prisnim. Ne jemi të kontrolluar nga AKM-ja. Jemi në rregull me procedurat e AKM-së,” – u shpreh Aureli për nënën e tij.
“Alliance Resource” sh.p.k., sipas dosjes hetimore, hyn në skenë në vitin 2021, kur lidh një kontratë me “Kurum International” sh.a. për menaxhimin e mbetjeve të ngurta që përmbajnë substanca të rrezikshme. Që nga ajo periudhë, kompania rezulton të ketë blerë në mënyrë të vazhdueshme sasi të konsiderueshme mbetjesh nga Kurum, të cilat në dokumente paraqiten si pjesë e një zinxhiri të rregullt tregtar dhe trajtimi.
Për një periudhë pesëvjeçare, kompania ka blerë rreth 9000 ton mbetje të rrezikshme nga “Kurum International”, por Koroçi pretendon se gjithçka ka qenë e ligjshme.
“Në 2021 kemi blerë 2870 ton, në 2024 kemi blerë 2500 ton, dhe në 2025 kemi blerë 3700 ton mbetje nga Kurumi. Ne marrim mbetjet e Kurumit me përmbajtje zinku, i përziejmë me karbon, i fusim në furrë. Gjatë kohës së prodhimit, zinku në temperaturën 1100 gradë del në gjendje të gaztë dhe shkon te ftohësi dhe pastaj kthehet në zink metal. Pastaj gjatë kohës lidhet me oksigjenin dhe bëhet oksid zinku. Ky është produkti ynë, oksidi i Valz që quhet,” – shpjegoi Koroçi, duke pretenduar se për këto përpunime kanë edhe lejet mjedisore të certifikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
Sipas Prokurorisë, shoqëria “Alliance Resource” nuk disponon kushtet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme dhe as kapacitete për të trajtuar sasitë e stërmëdha që i kishte transferuar Kurum.
Në muajin e parë të vitit 2021, dy shoqëritë “Kurum International” sh.a. dhe shoqëria “Alliance Resource” kanë lidhur kontratë “Për menaxhimin e mbetjeve të ngurta nga trajtimet e gazeve, që përmbajnë substanca të rrezikshme”. Po në pothuajse të njëjtën periudhë rezulton se kompania “Alliance Resource” ka lidhur një kontratë shitjeje me një afat 5-vjeçar për 2500 ton oksid hekuri me kompaninë Ertrako LTD.
Kompania është e regjistruar me adresë Ajeltake Road, në Ishujt Marshall, që njihen edhe si një juridiksion i favorshëm për regjistrimin e kompanive offshore, për shkak të taksave të ulëta dhe rregullave fleksibël për bizneset ndërkombëtare.
Administratore e kompanisë është Mbarime Koroçi, por Aureli thotë se kompania është e drejtuar prej tij.
“Kjo kontratë është e nënshkruar, por ne nuk e kemi zbatuar atë kontratë sepse Kurum nuk ofroi sasinë që ne ishim dakordësuar për përpunimin e mbetjeve,” – thotë Aureli, sipas të cilit kompania e tij ka të gjitha kapacitetet për të kryer përpunimin e mbetjeve dhe ka siguruar të gjitha lejet e nevojshme mjedisore.
Por sipas drejtorit të EcoAlbania, në Shqipëri asnjë kompani nuk ka kapacitet për të kryer përpunimin e mbetjeve të rrezikshme.
“Në dijeninë time, Shqipëria nuk ka kapacitete të trajtojë mbetje të rrezikshme, që vijnë jo vetëm nga industria e përpunimit të metaleve, por edhe nga procese të tjera industriale dhe teknologjike,” – shprehet Nika.
Mes 33 masave të sigurisë që Prokuroria e Durrësit ka vendosur për skandalin e menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme të “Kurum International”, është edhe subjekti “Bajrami N” sh.p.k., si dhe Petrit Qosja, i identifikuar si tregtar i mbetjeve.
Kurum për vitet 2022 dhe 2023 i ka shitur personit fizik “Petrit Qosja” dhe shoqërisë “Bajrami N” sh.p.k., gjithsej rreth 42 mijë ton mbetje.
Por këto subjekte nuk ishin të vetmet në shkelje të ligjit, pasi edhe shoqëria “EMS Albanian Port Operator”, qiradhënëse për “GS MINERALS d.o.o” për magazinimin e mallit oksid zinku, nuk ka verifikuar lejen mjedisore të subjektit nën pronësinë e familjes Sokolaj.
Në të paktën katër raste, kjo shoqëri ka pranuar grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme pa verifikuar dëmet mjedisore dhe në shëndetin e njeriut që sjellin mbetjet toksike.
Dështimi i kontrollit shtetëror
Aurel Koroçi pretendon se kompania e tij po përfshihet pa të drejtë në skandalin e mbetjeve, pasi sipas tij i gjithë procesi në fabrikën e tij në Elbasan është i kontrolluar nga institucionet shtetërore, madje kompania gëzon edhe licencat përkatëse.
Por hetimet e Prokurorisë së Durrësit përfshijnë edhe institucionet shtetërore në skemën e dyshuar të kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme.
Sipas organit të akuzës, janë konstatuar shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre nga drejtues dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), punonjës të Doganave, Autoritetit Portual Durrës, si dhe nga kompania koncesionare që menaxhon terminalin lindor, EMS Albanian Port Operator.
Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, drejtoresha aktuale Marjeta Përlala dhe pesë zyrtarë të tjerë, sipas Prokurorisë, nuk kanë përmbushur detyrimet si institucion mbikëqyrës për garantimin e standardeve mjedisore.
Dosja hetimore përshkruan një mungesë të theksuar kontrolli, ku inspektimet nuk janë kryer sipas kërkesave ligjore pranë subjekteve si “Kurum International”, “Alliance Resource”, “Sokolaj” dhe EMS APO.
Në vend të kontrolleve të detajuara dhe të vazhdueshme, AKM ka realizuar vetëm inspektime të përgjithshme vjetore, në të cilat, sipas hetimit, janë konstatuar edhe shkelje në vetë procesin e inspektimit. Po ashtu, institucioni akuzohet se nuk ka monitoruar saktësinë e vetëmonitorimeve të kompanive, të cilat dyshohet se janë kryer në mënyrë fiktive.
Por, në kundërshtim me prokurorinë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh në një përgjigje zyrtare për “shteg.org” se ka kryer kontrolle periodike dhe madje për dy nga subjektet.
“…ka pasur kontrolle periodike çdo vit dhe për dy nga subjektet gjeneruese të këtyre mbetjeve ka masa gjobe për arsye të menaxhimit të mbetjeve jo konform legjislacionit.” – thuhet në përgjigjen zyrtare të AKM-së.
Por për Olsi Nikën, faktet e konstatuara nuk janë thjesht shkelje administrative, por krime mjedisore dhe shkelje e konventave ndërkombëtare.
“Këtu kemi të bëjmë edhe me një krim mjedisor, kemi të bëjmë edhe me një thyerje të një ligji ndërkombëtar siç është Konventa e Bazelit. Pra, kjo shihet në një mënyrë komplementare e gjithë ngjarja. Heqja e licencës është masa drastike, e përcaktuar në ligj, mbyllja e aktivitetit është masa drastike. Sepse hetimet dhe mandej gjykata do të vendosë nëse e gjithë kjo është bërë një herë, është bërë disa herë, është bërë me dashje apo pa dashje. Janë gjithë elementët që do të përcaktojnë ndëshkimin apo masën e ndëshkimit final.” – u shpreh Nika.
Sipas hetimit, agjencia e mjedisit nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërive Kurum International, Alliance Resource, Sokolaj dhe EMS APO, duke i hapur rrugën grumbullimit, transportimit dhe kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme të kodit 10 02 07*.
“Rezulton se AKM-ja nuk ka kryer inspektime periodike tematike, por vetëm inspektime vjetore të përgjithshme, në të cilat gjithashtu evidentohen shkelje mbi rezultatet e inspektimit,” thuhet në kërkesën për masën e sigurisë.
Për drejtuesin e EcoAlbania, Olsi Nika, mbetjet me këtë kod janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.
“Këto janë mbetje të proceseve kimike që ndodhin në uzinën e metalurgjikut dhe janë praktikisht ato që çlirohen nga oxhaqet e furrave të djegies. Skorie, në formë pluhuri. Patjetër mund të depërtojnë përmes traktit respirator dhe në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe më pas të shkaktojnë një mori problemesh për shëndetin e njeriut. Por nga ana tjetër edhe për botën e gjallë, për kafshët dhe për bimët.” – thotë Olsi Nika.
Marrë nga Shteg.org