Kriminaliteti i organizuar në Romë nuk funksionon më sipas logjikës së luftës mes bandave, por sipas një modeli bashkëjetese dhe ndarjeje territori për të maksimizuar fitimet. Ky ishte paralajmërimi i fortë i bërë nga shefi i policisë së Romës, Roberto Massucci, gjatë një seance në Komisionin Parlamentar Antimafia në Itali.
Në analizën e tij, Massucci përshkroi një realitet kriminal të rrënjosur thellë në periferitë e kryeqytetit italian, ku trafiku i drogës, riciklimi i parave dhe infiltrimi në ekonominë legale po ndërthuren gjithnjë e më shumë.
Trafiku i drogës dhe roli i mafies shqiptare
Massucci u ndal veçanërisht te zonat e trafikut të drogës në Romë, duke i cilësuar ato si zemra e aktivitetit kriminal në qytet.
Ai përmendi Tor Bella Monaca-n si “pikën më të madhe të shpërndarjes së drogës në Europë”, ndërsa theksoi se kërkesa për narkotikë vazhdon të rritet.
Fenomeni, sipas tij, shtrihet edhe në zona të tjera problematike si Quarticciolo dhe San Basilio.
Në këtë kontekst, shefi i policisë italiane evidentoi rolin dominues të kriminalitetit shqiptar në kontrollin e trafikut të drogës. Sipas Massuccit, grupet shqiptare kanë një pozicion hegjemoni në menaxhimin e tregut të narkotikëve dhe bashkëpunojnë ngushtë me organizatën mafioze kalabreze ‘Ndrangheta për qarkullimin e sasive të mëdha të kokainës.
Ai shtoi se pas shpërndarësve të drogës në rrugë qëndron një strukturë kriminale me qarkullim të madh parash, të cilat shpesh investohen jashtë Italisë, përfshirë sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
“Mafia e biznesit” dhe riciklimi i parave
Një tjetër aspekt i evidentuar gjatë raportimit ishte infiltrimi i parave të krimit në ekonominë legale përmes asaj që Massucci e quajti “mafia e biznesit”.
Ky mekanizëm, tha ai, është përdorur prej vitesh në Romë dhe është shfaqur qartë në hetime të mëdha si operacioni “Nuova Alba” në Ostia, ku grupe kriminale kishin marrë kontrollin e bizneseve bregdetare përmes metodave mafioze.
Massucci renditi edhe një seri operacionesh të fundit kundër klaneve mafioze në Romë. Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro ndaj klanit Alvaro, familjes Casamonica dhe grupit Morando me lidhje me ‘Ndranghetën.
Mes pasurive të sekuestruara përfshihen restorante, bare dhe kompani aktive në sektorin e ushqimit dhe shërbimeve.
Sipas shefit të policisë, gjatë afro tre viteve të mandatit të tij në kryeqytet janë kryer sekuestrime pasurore me vlerë rreth 23 milionë euro, janë vendosur dhjetëra masa mbikëqyrjeje speciale dhe janë lëshuar urdhra antimafia ndaj bizneseve të dyshuara.
Ai e cilësoi goditjen financiare ndaj organizatave kriminale si një nga instrumentet më efektive në luftën kundër mafias.
“Respekti territorial” mes bandave
Sipas tij, në kryeqytetin italian ekziston prej dekadash një lloj “respekti territorial” mes organizatave kriminale, i ngjashëm me modelin e vjetër të Bandës së Maglianës.
“Deri këtu vij unë, më pas fillon territori yt”, përshkroi ai logjikën e ndarjes së zonave mes grupeve kriminale.
Kjo marrëveshje e heshtur, sipas policisë italiane, u lejon organizatave të ndryshme të operojnë pa përplasje të përgjakshme, duke garantuar stabilitet për aktivitetet e paligjshme dhe fitimet.
Rasti “Diabolik” dhe ekstremizmi në stadiume
Gjatë seancës u diskutua edhe vrasja e Fabrizio Piscitelli-t, i njohur si “Diabolik”, ish-lider i tifozëve ultras të Lazios dhe figurë e njohur në botën kriminale të Romës.
Massucci pranoi se zhvillimet e fundit gjyqësore, përfshirë shpalljen e pafajshëm të Raul Esteban Calderon, kanë ndryshuar kuadrin hetimor, por theksoi se çështja nuk konsiderohet e mbyllur.
Sipas tij, grupi i lidhur me Piscitelli-n kishte ndërthurur aktivitetin kriminal me forma të ekstremizmit politik dhe përdorimin e dhunës për kontroll territori.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që vijnë nga grupet ultras në stadiume, duke përmendur operacionin ndaj grupit “Quadrato” në tribunën jugore të Romës, ku hetimet zbuluan lidhje të dyshuara me klanin Senese dhe trafikun e drogës.