Aksi rrugor Elbasan–Cërrik, në afërsi të fshatit Kuqan, është bllokuar për tre orë, si pasojë e shembjes së një segmenti rreth 20 metra të një kanali të rëndësishëm vaditës në zonë.
Dëmtimi i kanalit ka bërë që uji të dalë nga shtrati, duke marrë me vete edhe dhe e materiale nga kodrat përreth. Uji dhe dherat kanë përfunduar në rrugë, duke vështirësuar fillimisht dhe më pas ndërprerë plotësisht qarkullimin e automjeteve.
Situata ka krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë aks, ndërsa prania e ujit dhe e dherave në karrexhatë paraqet rrezik për sigurinë rrugore.
Ende nuk dihet nëse shembja e kanalit është shkaktuar nga amortizimi i strukturës apo nga faktorë të tjerë.
Strukturat përgjegjëse pritet të ndërhyjnë për largimin e ujit dhe dherave nga rruga, si dhe për rikthimin e kanalit në funksion. Deri në normalizimin e situatës, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë.
Marrë nga Hashtag.al