Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, teksa ka folur për mediat pas rrëshqitjeve të dherave në aksin Librazhd-Qafë Thanë, deklaroi se shembja është një fenomen natyror.
Teksa u përpoq që për një moment të kthehej në “Baba Vangën” e Shqipërisë, Ami Kozeli tha se shembja është shkaktuar nga mbingopja e malit me ujë dhe këtë e ka konstatuar duke e parë me sy të lirë.
Ai tha se, pavarësisht se trasa e re kalon mbi malin ku ndodhi rrëshqitja dhe mjetet e rënda janë çdo ditë në terren, ndërhyrjet nuk kanë ndikuar në destabilizimin e masivit shkëmbor.
“Kemi konstatuar edhe me sy të lirë se mali është i mbingopur nga uji, çka ka sjellë shembjen e shpatit. Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po kryhen në këtë segment” deklaroi drejtori i ARRSH.
Kaosi që u shkaktua në aksin Librazhd-Qafë Thanë dhe fadromat e “ANK” që e rënduan situatën
Qarkullimi në një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme që lidh Librazhdin me juglindjen e vendit u ndërpre paraditen e djeshme (e diele, 1 shkurt) për shkak të rrëshqitjes masive të dheut, gurëve dhe shkëmbinjve.
Ngjarja ndodhi në zonën e quajtur Dragostunjë, ku një masiv i madh shkëmbor ra nga mali, duke zënë të gjithë gjerësinë e akseve dhe bllokuar të dyja drejtimet.
Bllokimi i aksit paralizoi qarkullimin duke bllokuar automjetet edhe një auto-ambulancë që po dërgonte një grua me këmbë të thyer drejt Spitalit të Elbasanit.
Stafi mjekësor u detyrua ta nxirrte pacienten nga ambulanca dhe ta kalonte përmes lumit pranë rrugës në një barrelë, për të vazhduar transportimin e saj për ndihmë mjekësore.
Rruga e bllokuar është pjesë e një projekti më të gjerë të zgjerimit dhe rehabilitimit të aksit Librazhd–Qafë Thanë, projekt që synon përmirësimin e lidhshmërisë dhe sigurisë së trafikut në këtë korridor strategjik.
Punimet e këtij projekti kryhen nga kompania A.N.K. SHPK, e cila ka historik në projekte infrastrukturore në Shqipëri dhe ka fituar tenderë publikë për faza të ndryshme të rrugës. Kompania ka lidhje me biznesmenin Ndue Kola, ndërsa pronësia aktuale është në duart e vëllait të tij, Agim Kola. Tenderi për fazën e fundit të zgjerimit të rrugës është shpallur me një fond limit prej rreth 29 milionë eurosh, përfshirë TVSH-në.
Ndëkohë sipas raportimeve, pikërisht kompania A.N.K konsiderohet shkaktare direkte e bllokimit, pasi thuhet se kjo e fundit po punon për ndërtimin e segmentit rrugor, pjesë e Korridorit Tetë, dhe ka nisur punimet për shembjen e pjesës së rrezikshme në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës.
Ndërhyrja e fadromave të ANK ka sjellë hedhjen në rrugë të masivëve të gurëve e dherave, çka ka përkeqësuar bllokimin e aksit.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi ditën e djeshme se arsyeja kryesore e gjithë kësaj situate janë vjedhjet kolosale të dyshes Rama – Balluku.
Marrë nga Boldnews.al