Aplikim në e-Albania, dokumente origjinale me postë, paraqitje në komision dhe ekzaminime që në disa raste caktohen përtej afateve të kërkuara.
Për një pjesë të qytetarëve që kanë humbur aftësinë për punë, rruga drejt pensionit të invaliditetit shoqërohet me procedura të përsëritura, udhëtime dhe pritje për të marrë mbështetjen financiare.
Problematikat evidentohen në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të konsultuar nga skyweb.al, për funksionimin e komisioneve të vlerësimit të aftësisë për punë, të njohura gjerësisht si KEMP. Auditimi mbulon vitet 2023–2025 dhe konstaton se sistemi nuk garanton akses njëtrajtësisht të shpejtë dhe pa pengesa të panevojshme.
Procedura nis me dokumentacionin mjekësor dhe fletën e drejtimit për në komision. Qytetari duhet të aplikojë elektronikisht, ndërsa dokumentet origjinale administrative dhe mjekësore t’i dërgojë me postë. Por, sipas KLSH-së, nuk funksionojnë sportele të dedikuara ku aplikantët të marrin ndihmë për përdorimin e platformës dhe të kontrollojnë paraprakisht nëse dosja është e plotë.
Për pasojë, një pjesë paraqiten pranë strukturave përgjegjëse pa informacionin ose dokumentacionin e nevojshëm. Pasojnë plotësime dosjesh dhe paraqitje të tjera, duke shtuar kostot kohore e financiare për persona që shpesh ndodhen në gjendje të vështirë shëndetësore.
Pengesat vijojnë edhe kur komisioni kërkon ekzaminime për rikontroll. Auditimi evidenton raste kur datat e vizitave dhe ekzaminimeve në sistemin shëndetësor tejkalojnë afatet e rekomanduara nga komisionet. Megjithëse ministria ka kërkuar trajtim me prioritet për këta pacientë, KLSH konstaton se mekanizmi nuk funksionon efektivisht në praktikë.
Barrë tjetër janë rivlerësimet periodike edhe për dëmtime të pakthyeshme. Në raport përmenden amputacionet, gjymtimet fizike dhe disa dëmtime të përhershme të shtyllës kurrizore. Mjekë të intervistuar shprehen se për disa kategori duhet të parashikohet invaliditet i përhershëm, pasi rikontrollet e përsëritura nuk sjellin ndryshim të pritshëm në gjendjen funksionale.
Pritja prek edhe caktimin e pensionit. Në vitin 2025, raporti evidenton 118 pensione të lidhura jashtë afatit, me vonesë mesatare të raportuar prej 67 ditësh. Situata ndryshon sipas rajoneve: në Dibër, 31% e rasteve janë trajtuar jashtë afatit, ndërsa në Vlorë 20%. Megjithatë, mesatarja e përgjithshme kombëtare e trajtimit është përmirësuar, nga 33 ditë në vitin 2023 në 28 ditë në vitin 2025.
Për personat që nuk plotësojnë kushtet kontributive, procedurat mund të nisin sërish nga e para për të kërkuar mbështetje nga asistenca sociale. KLSH evidenton mungesën e një mekanizmi referimi ndërmjet dy skemave dhe kërkon koordinim institucional, asistencë të drejtpërdrejtë për aplikantët dhe standardizim të procedurave, për të ulur sorollatjet dhe vonesat.
Marrë nga Skyweb.al