Prokuroria e posaçme SPAK, ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me deklaratat e forta të bëra nga ish-zv/kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj, gjatë një interviste televizive të publikuar në emisionin “Çim Peka Live”.
Byroja Kombëtare e Hetimit tashmë ka administruar përmes “Youtube” emisionin e plotë. Por paralelisht me këtë veprim, drejtuesi i SPAK Klodian Braho ka firmosur një dokument, duke kërkuar nga televizioni “Syri Tv” që ti verë në dispozicion të gjithë materialin e emisionit përfshirë këtu dhe përgjimet bruto të transmetuara në publik.
Këto veprime tregojnë një lëvizje verifikuese të SPAK dhe vijnë vetëm dy ditë pas transmentimit të intervistës me ish-zv/kryeministrin e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili prej disa kohësh qëndron në shtetin Zviceran në ekzil.
Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë ka bërë disa denoncime të forta edhe më parë për gazetarin Peka, por deri më tani, ai që cilësohet si kreu i organizatës nga Ahmetaj, kryeministri Edi Rama, nuk është prekur nga organi i akuzës.
Në qendër të denoncimeve të tij janë biznesmeni Izraelit, Ron Yefet, kompania “Timak Defense” dhe ajo që Ahmetaj e quan “koncepti KAYO”.
Ahmetaj, ka ngritur akuza të forta edhe për industrinë ushtarake, duke pretenduar se armët prodhohen e paketohen në Shqipëri për t’u dërguar më pas në zona konflikti.
Ai e ka lidhur këtë skemë drejtpërdrejt me Edi Ramën, ashtu sikurse edhe në denoncimet e mëparshme.
Marrë nga Alfapress.al