Nga Lorenzo Tondo
Kur Italia hapi qendrat e emigrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: 3000 persona në muaj të kapur në ujërat italiane do t’i nënshtroheshin trajtimit të kërkesave për azil jashtë kufijve të Italisë, nën mbikëqyrjen e oficerëve italianë të policisë.
Objektet në Shëngjin, ku u dërguan për të punuar, janë bosh: ajo që u prezantua nga Komisioni Europian si një model i ri për mbajtjen e emigrantëve jashtë BE-së dështoi pasi gjykatësit italianë e shpallën të paligjshme mbajtjen e personave të kapur në det në Shqipëri, përpara se ata të ktheheshin në vende si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara “të sigurta” nga Roma. Vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri, dhe asnjëri prej tyre nuk ka mbetur aty. Pesë kaluan më pak se 12 orë në një qendër ndalimi, ndërsa të tjerët qëndruan vetëm mbi 48 orë.
Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin, duke ulur fondet për arsim, shëndetësi dhe sigurime shoqërore, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës, që do të kushtojë rreth 1 miliard euro për pesë vjet, një “katastrofë financiare”.
Oficerët italianë të policisë, të regjistruar fshehurazi nga televizioni shqiptar Syri, janë mes disa dhjetëra personave që kanë mbetur në Shqipëri. Në nëntor, rreth 50 oficerë, së bashku me dhjetëra punonjës socialë, u kthyen në shtëpi pasi u bë e qartë se ambientet ishin bosh.
Në fund të nëntorit, gazeta kombëtare “Domani” zbuloi se një tjetër qendër ndalimi shqiptare, në Gjadër, e destinuar për të strehuar azilkërkuesit, ishte e mbushur nga qen endacakë të adoptuar nga 15 oficerë burgu të caktuar aty. “Oficerët e burgut janë kujdesur për qentë me dashuri dhe durim, duke u siguruar ushqim, ujë, kujdes mjekësor të përditshëm, dhe mbi të gjitha, një mjedis të sigurt dhe të dashur,” raportoi gazeta pas një vizite në qendër.
Turpi i qeverisë italiane për këtë skemë, e sulmuar nga partitë opozitare si një “dështim i plotë”, ka shkaktuar një grindje mes autoriteteve dhe gjykatësve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë se kanë penguar projektin, pasi ata mbështetën një vendim të 4 tetorit nga Gjykata Europiane e Drejtësisë që thoshte se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallej i sigurt nëse territori i tij i tërë nuk konsiderohej i sigurt.
Muaj para nënshkrimit të marrëveshjes midis kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, organizata të shumta joqeveritare, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse kjo marrëveshje mund të konsiderohej humane apo edhe e ligjshme sipas ligjeve ndërkombëtare. Shtete të shumta europiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë që nga viti 1993, por propozimet e tyre janë refuzuar.
Italia ka bërë të ditur se nisma është pezulluar ndërsa kërkohet një zgjidhje që nuk shkel ligjet ndërkombëtare humanitare.
“Qendrat për emigrantë në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse do më duhet të kaloj çdo natë atje deri në fund të mandatit të qeverisë italiane,” këmbënguli Meloni.
Besueshmëria e kryeministres është në rrezik pasi qeveria e saj e ka bërë imigracionin një çështje qendrore në fushatë dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. (Transporti detar nga një anije ushtarake italiane për tetë burra që arritën në Shqipëri kushtoi 250,000 euro, më shumë se 31,000 euro për person.)
“Pse duhet t’i hedhim poshtë paratë e italianëve kështu? Pse të lëmë forcat e sigurisë me pushime në Shqipëri kur kemi nevojë për personel në qytetet tona?” pyeti Matteo Renzi, kreu i partisë opozitare Italia Viva dhe një ish-kryeministër, duke propozuar që të burgosurit shqiptarë në Itali të transferoheshin në objektet në Shqipëri.
“Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë,” shtoi ai. “Kushtoi një miliard euro dhe po shërben si strehë qensh endacakë.”
Marrë nga The Guardian