Milani është gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Italisë 2024-2025. Në “San Siro”, kuqezinjtë mposhtën 3-1 Romën dhe tani presin fituesin e sfidës Inter-Lazio, e cila do të luhet më 25 shkurt.
Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte ish-lojtari i Romës, Tammy Abraham, autor i një dopiete: në minutën e 16-të, sulmuesi anglez zhbllokoi sfidën me një goditje të bukur me kokë, ndërsa në të 42-ën dyfishoi avantazhin duke mos gabuar përballë Svilarit.
Roma pati një mundësi të artë me Pisillin, i cili goditi traversën me kokë në minutën e 36-të, ndërsa Maignan u tregua vendimtar me dy pritje të shkëlqyera ndaj Dybala.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër traversë, këtë herë nga Walker (49’), ndërsa në minutën e 54-t Dovbyk shkurtoi diferencën me një goditje të saktë nga afër, i lirë në shtyllën e dytë.
Në minutën e 58-të, debutuan me fanellën e Milanit, Gimenez dhe Joao Felix, dhe të dy u treguan menjëherë vendimtarë. Meksikani dha asistin, ndërsa portugezi shënoi me një “cucchiaio” të bukur për golin e tretë të Milanit në minutën e 71-të.