Është mbajtur sot mbledhja e Komisionit të Medias, ku me votë unanime është vendosur që të nisë nga sot procesi për shkarkimin e 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH.
Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa ka propozuar që duke nisur që nga dita e nesërme të zhvillohen dëgjesa individuale me të nëntë anëtarë.
Sipas saj, anëtarët e Këshillit drejtues të RTSH ishin të painformuar, por nuk i shpëton mosdija nga shkelja e ligjit.
Kujtojmë se pas skandalit me procesin për zgjedhjen e Drejtorit të ri të RTSH, kanë dhënë dorëheqjen 2 anëtarë të Këshillit Drejtues, Gëzim Podgorica, njëherazi nënkryetar i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar dhe Genc Përmeti.
Aktualisht, procesi për zgjedhjen e drejtorit të ri të RTSH-së është pezulluar, pas thirrjes së të dy palëve të politikës. Në garë për drejtorin e ri të RTSH ishin gjithsej 10 kandidatë.
Pesë prej tyre u përjashtuan fillimisht nga Këshilli Drejtues për mungesë dokumentacioni, më konkretisht: Laureta Roshi, Florina Paskali, Flamur Buçpapaj, Harilla Koçi dhe Enrik Mehmeti.
Ndërkohë, në një mbledhje pa transparencë dhe në shkelje të ligjit, Këshilli Drejtues skualifikoi nga gara me “votim të fshehtë” dhe tre kandidatët e tjerë Eni Vasilin, Kliton Ramën dhe Ermal Hoxhën, duke kaluar në fazën e dëgjimit për të shpalosur platformat vetëm të Aurora Polos dhe Jetmir Shpuzës.
Këshilli Drejtues është akuzuar se po manipulon procesin dhe po shkel ligjin për të zgjedhur në krye të RTSH-së, Aurora Polon, edhe pse ajo nuk plotëson kriterin bazë, për shkak se është inxhiniere në profesion dhe jo gazetare.
Marrë nga Balkanweb.com