Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026. Ankimet kundërshtojnë Aktet Normative nr. 5 dhe nr. 6, si dhe VKM-në nr. 815, të cilat, sipas protestuesve, cenojnë të drejtën për protestë, lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore të qytetarëve.
Duke folur për mediat, studentët deklarojnë se këto akte i japin policisë kompetenca të gjera për kufizimin e protestave, fshirjen e postimeve në rrjetet sociale, vendosjen e gjobave dhe krijimin e mekanizmave të kontrollit ndaj qytetarëve. Ata kundërshtojnë gjithashtu përgjegjësinë solidare të organizatorëve për dëmet gjatë protestave dhe masat që, sipas tyre, mund të kufizojnë lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit.
Përmes ankimeve, kërkohet që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë çështjet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Studentët i cilësojnë këto masa si një përpjekje për të kufizuar hapësirën demokratike dhe për të frikësuar qytetarët që kundërshtojnë qeverinë, duke theksuar se e drejta për protestë dhe shprehje të lirë duhet të mbetet e garantuar.
“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë. Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues. Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, thanë studentët.
Marrë nga Dosja.al