I kërkuar nga policia izraelite për dy skandale që kanë tronditur qeverinë e Benjamin Netanyahut, këshilltar politik i Aleksandar Vuçiçit dhe protagonist i investigimeve për propagandë, dokumente sekrete dhe tregti armësh, Srulik Einhorn shfaqet tashmë edhe në dosjen shqiptare të Ergys Agasit. Emri i tij përmendet në komunikimet me shtetas të huaj që Gjykata e Posaçme i ka konsideruar tregues të ekzistencës së një rrjeti ndërkombëtar, të aftë për të ndihmuar ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, t’i shmangej drejtësisë.
Një emër që deri më tani njihej kryesisht në qarqet politike të Izraelit dhe Serbisë ka dalë edhe në dosjen e një prej hetimeve më të ndjeshme të SPAK në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Yisrael Srulik Einhorn, strategun izraelit të komunikimit politik, ish-bashkëpunëtorin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili prej vitesh zhvillon aktivitetin e tij nga Beogradi.
Në materialet e çështjes së Ergys Agasit dhe ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, përmenden komunikime të ndërmjetësuara nga Agasi me dy shtetas të huaj, të identifikuar si “Shalev I.” dhe “Srulik E.K.”.
Në fragmentin e vendimit gjyqësor thuhet:
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Z. Ergys Agasi me shtetas të huaj (të identifikuar me pseudonimet ‘Shalev I.’ dhe ‘Srulik E.K.’), të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese”.
Vetë formulimi i gjykatës është domethënës: nuk flitet thjesht për njohje apo kontakte me shtetas të huaj, por për dyshimin se këto lidhje mund të shërbenin si kanale largimi apo fshehjeje jashtë Shqipërisë.
Por kush është njeriu që përmendet në këtë dosje?
Nga fushatat e Netanyahut te zyrat e pushtetit në Beograd
Srulik Einhorn është një specialist izraelit i marketingut dhe komunikimit politik, i cili e ndërtoi profilin e tij publik përmes fushatave të partisë së Benjamin Netanyahut.
Më pas, aktiviteti i tij u zgjerua në Ballkan, veçanërisht në Serbi, ku u bë këshilltar për komunikimin politik të Aleksandar Vuçiçit.
Një investigim i përbashkët i rrjetit BIRN dhe gazetës izraelite Haaretz, i publikuar në prill 2025, zbuloi detaje të strategjisë së hartuar për promovimin ndërkombëtar të presidentit serb.
Objektivi ishte përmirësimi i imazhit të Vuçiçit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, duke e paraqitur atë si një udhëheqës që garantonte stabilitet, paqe dhe marrëdhënie me fuqitë botërore.
Në Beograd, Einhorn krijoi kompaninë Insight Partners në prill 2023, e cila, sipas të dhënave të publikuara nga Haaretz, raportoi mbi 2.3 milionë dollarë të ardhura gjatë vitit 2024.
Problemet e Einhorn me drejtësinë lidhen me dy hetime të rëndësishme që kanë përfshirë ish-bashkëpunëtorë të afërt të Netanyahut.
I pari është skandali i njohur si “Qatargate”.
Hetuesit izraelitë dyshojnë se Einhorn, së bashku me Jonatan Urich dhe Eli Feldstein, kanë marrë pagesa për të promovuar interesat e Katarit në mediat izraelite, në një periudhë kur vendi ishte i përfshirë në negociatat për pengjet e mbajtura nga Hamasi.
Në shtator 2026, Haaretz raportoi se gjatë marrjes në pyetje në Serbi, Einhorn kishte pranuar se ai dhe Feldstein ishin paguar nga lobisti amerikan Jay Footlik për punë në interes të Katarit.
Ai kundërshtoi pretendimet se pagesat lidheshin me punën në zyrën e kryeministrit, duke deklaruar se kishin punuar për promovimin e çështjeve që lidheshin me Katarin.
Hetimi i dytë lidhet me rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara ushtarake izraelite drejt gazetës gjermane Bild, në vitin 2024.
Sipas hetuesve, publikimi i materialeve synonte të ndikonte opinionin publik izraelit për negociatat mbi pengjet e Hamasit.
Në janar 2026, policia izraelite deklaroi zyrtarisht se ndaj Einhorn ishte lëshuar urdhër arresti dhe se ai po i shmangej kthimit në Izrael.
Einhorn ishte marrë në pyetje nga hetuesit izraelitë në Beograd në korrik 2025, por nuk pranoi të kthehej në vendin e tij pa garanci për pasaportën dhe mundësinë e rikthimit në Serbi.
Ai mbetet person nën hetim dhe dyshimet e ngritura ndaj tij nuk përbëjnë një vendim gjyqësor fajësie.
Investigimi për armët serbe drejt Izraelit
Emri i Einhorn është shfaqur edhe në një tjetër investigim të BIRN dhe Haaretz, këtë herë për eksportin e municioneve nga Serbia drejt Izraelit gjatë luftës në Gazë.
Sipas investigimit, ai ka ndërmjetësuar kontakte politike dhe tregtare që lidheshin me furnizimin e Izraelit me municione serbe.
Të dhënat e publikuara tregojnë një rritje të eksporteve të armatimeve nga Serbia drejt Izraelit, nga rreth 1.4 milionë euro në vitin 2023 në 42.3 milionë euro në vitin 2024.
Veprimtaria e tij në Serbi ka përfshirë edhe marrëdhënie me këshilltarë politikë me ndikim në rajon.
Në një investigim të publikuar më 4 nëntor 2026, BIRN raportoi mbi rolin e mundshëm të Einhorn dhe bashkëpunëtorëve të tij në kontaktet politike që shoqëruan vizitat e Milorad Dodikut në Izrael.
Zoran Korać, një këshilltar politik me lidhje me Dodikun dhe Vuçiçin, konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këto vizita, por mohoi që Einhorn të kishte organizuar udhëtimet.
Çfarë lidhjeje kishte me Ergys Agasin?
Kjo është pyetja që tashmë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për hetimin shqiptar.
Përfshirja e emrit “Srulik E.K.” në komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi nuk shpjegon ende natyrën konkrete të marrëdhënies, kohëzgjatjen e saj apo qëllimin e kontakteve.
Nuk është bërë publik dokumentacion i mjaftueshëm për të përcaktuar nëse Einhorn ka zhvilluar aktivitet konsulence në Shqipëri, nëse ka marrë pagesa apo nëse ka ndërmjetësuar kontakte me zyrtarë shqiptarë.
Po ashtu, nuk ka informacion të konfirmuar publikisht se ai është marrë nën hetim nga SPAK.
Megjithatë, fakti që në dosjen e një ish-drejtueseje të shërbimit sekret shqiptar përmendet një person i identifikuar me emrin e një strategu politik ndërkombëtar, të kërkuar nga drejtësia izraelite, i jep çështjes një dimension që shkon përtej tenderëve të AKSHI-t dhe marrëdhënieve të Agasit me zyrtarët vendas.
Në këtë pikë, pyetjet janë të pashmangshme: Çfarë komunikonte Ergys Agasi me Einhorn? Kush i ndërmjetësoi kontaktet? Çfarë lidhjeje kishin ato me Vlora Hysenin? Dhe mbi çfarë provash gjykata arriti në vlerësimin se ekzistonte rreziku i përdorimit të një rrjeti ndërkombëtar për largimin apo fshehjen e saj?
Einhorn ka ndërtuar një karrierë duke lëvizur mes fushatave elektorale, qendrave të pushtetit dhe rrjeteve të ndikimit politik në disa shtete.
Tashmë emri i tij del edhe në një dosje shqiptare ku po hetohen marrëdhëniet mes biznesit, pushtetit dhe shërbimit sekret.
Pyetja që mbetet pa përgjigje nuk është më vetëm kush është Srulik Einhorn, por çfarë kërkonte rrjeti i tij i kontakteve në dosjen e Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit.
Marrë nga VNA.al