Temperaturat e ulëta, kanë rikthyer reshjet e dëborës edhe në qarkun e Shkodrës.
Disa centimetra dëborë kanë rënë mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm, në zonat e thella të Shkodrës, si dhe në Kelmend të Malësisë së Madhe.
I mbuluar nga dëbora ketë mëngjes është zgjuar edhe qyteti i Pukës.
Reshjet e dëborës janë rikthyer edhe në Bulqizë.
Aktualisht probleme ka në Bypass-in e rrugës së Arbrit, ku lëvizja e mjeteve bëhet me vështirësi për shkak edhe të terrenit të vështirë.
Sa i përket rrugëve rurale të njësive administrative të Bashkisë Bulqizë nuk raportohen probleme!
Ndërkohë policia bën thirrje drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes në lëvizje pasi për shkak uljeve të temperaturave kanë nisur ngricat në rrugë.
Ndërkaq në Kukës, reshjet e dëborës kanë sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Rruga që ka shfaqur probleme më shumë ka qenë ajo e Kombit, në segmentin Thirr-Fan-Reps, ku për shkak të prezencës së borës e akullit janë shënuar dy aksidente zinxhirë, ndërsa në daljen e fshatit Fan një mjet tjetër ka dalë nga rruga, fatmirësisht vetëm me dëme materiale.