Administratori i kompanisë “BanaKing”, Trifon Murataj është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit pasi një punonjës i kësaj kompanie është dëmtuar në vendin e punës në Portin e Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur më datë 18 shkurt, teksa 48-vjeçari me iniciale A. G., është dëmtuar aksidentalisht në sy gjatë orarit të punës. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia për të verifikuar rrethanat e ngjarjes si dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Mbi pronarin e “BanaKing”, Trifon Murataj rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se:
Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës.
Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës.
Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025.
Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi T. F., 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Marrë nga Newsbomb.al