Prada po i afrohet një marrëveshjeje për të blerë Versace-n nga Capri Holdings pasi ra dakord për një çmim prej afro 1.5 miliardë eurosh, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.
Prada dhe Capri me bazë në Milano mund të përmbylin marrëveshjen për kompaninë luksoze italiane këtë muaj, thanë burimet, duke kërkuar të mos identifikohen sepse diskutimet janë private. Bisedimet po përparojnë pasi studimi fillestar nuk gjeti ndonjë rrezik, thanë njerëzit.
Koha dhe vlerësimi mund të ndryshojnë dhe negociatat ende mund të dështojnë, shtuan njerëzit. Capri, e cila bleu Versace-n në 2018 për rreth 1.8 miliardë euro, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment të dielën. Prada nuk pranoi të komentonte.
Aksionet e Prada-s u rritën deri në 4.1% të hënën në Hong Kong.
Një blerje e mundshme e shtëpisë së modës e themeluar nga stilisti i ndjerë Gianni Versace në 1978 do lejonte Prada-n të krijonte një lojtar më të madh italian për të konkurruar më mirë me grupet globale të luksit si LVMH dhe Kering SA.
Një blerje do ndryshonte një prirje prej dekadash të grupeve italiane të modës, përfshirë Gucci-n dhe Valentino-n, që janë blerë nga rivalët e huaj.
“Prada do ishte e pozicionuar mirë për të realizuar potencialin e markës Versace në një afat të gjatë, duke i hapur potencialisht rrugën grupit për t’u bërë kundërpërgjigja e Italisë ndaj konglomerateve luksoze franceze,” thanë analistët e UBS Group të udhëhequr nga Susy Tibaldi në një shënim të 28 shkurtit.
Prada doli si një nga fituesit e sektorit të luksit mes një rënieje globale për artikujt e modës së nivelit të lartë. Shitjet u rritën në tremujorin e tretë të vitit të kaluar te dega Miu Miu, një markë e njohur me konsumatorët më të rinj.
Kompania italiane kaloi javë të tëra duke vlerësuar Versace-n me këshilltarët e saj, që kishin qasje ekskluzive në shifrat financiare dhe të shitjeve, raportoi Bloomberg Neës në shkurt, duke cituar njerëz të njohur me gjendjen.
Estetika e Prada-s minimaliste dhe Versace-s “maksimaliste” “janë të kundërta polare” dhe nuk do rrezikonin kanibalizimin, thanë analistët e UBS në një shënim.
Nëse arrihet marrëveshja, Prada do vlejë një pjesë të konkurrentëve të saj më të mëdhenj. Shtëpia e modës ka një kapitalizim tregu prej rreth 20 miliardë eurosh , pas një fitimi prej 14% të aksioneve që nga fillimi i vitit. Familja e Miuçia Prada dhe bashkëshorti i saj Patrizio Bertelli kontrollojnë rreth 80% të kompanisë.
Konglomerati francez LVMH, i cili zotëron Louis Vuitton dhe Christian Dior, si dhe një varg markash italiane duke përfshirë Fendi dhe Loro Piana, ka një vlerë tregu prej 350 miliardë eurosh. LVMH vitin e kaluar bleu një aksion në kompaninë që kontrollon Moncler SpA, prodhuesi italian i veshjeve.
Versace raportoi të ardhura prej rreth 180 milionë dollarësh për tremujorin e tretë të vitit aktual fiskal, një rënie prej 15% nga viti në vit, sipas një deklarate. Gjatë të njëjtës periudhë, humbja operative e markës u zgjerua në 18 milionë euro nga 12 milionë euro.
Capri, i cili gjithashtu zotëron Michael Kors, punësoi Barclays Plc për të eksploruar mundësitë për disa nga kompanitë e portofolit të saj pasi një kombinim prej 7.5 miliardë eurosh me Tapestry Inc. u anulua pas një urdhri gjykate. Borxhi i Capri u ul nën shkallën e investimit nga S&P Global Ratings në shkurt.
Marrë nga Hashtag.al