Mungesa e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë është tashmë në kufijtë e një emergjence kombëtare, duke shkuar përtej KLGJ-së dhe kërkohet ndërhyrje nga organet legjislative dhe ekzekutivi.
Një tjetër problem për Apelin janë ambientet, mungesa e sallave të gjyqeve dhe ato për arkivën, të cilat e vështirësojnë punën për të dhënë drejtësi.
Gjykata e mbylli vitin 2024 me një total prej vetëm 26 gjyqtarësh, 3 herë më pak nga 78 sa duhej të kishte në organikën e miratuar që në vitin 2022. E megjithatë, 9850 çështje gjyqësore u gjykuan, me një mesatare prej 534 çështjesh për gjyqtarë. Në total janë 41,700 dosje të prapambetura, të cilat, pa asnjë dosje të re, me 26 gjyqtarët aktual do të duheshin të shqyrtoheshin për 4 vjet e 3 muaj, gjithmonë sipas mesatares së vitit 2024.
Standardi ndërkombëtar për një efikasitet të lartë gjykimi është 100%, që nënkupton se duhen gjykuar në një vit i njëjti numër çështjesh që regjistrohen si të reja. Për vitin 2024, kjo shifër shkoi në nivelin 71%, duke shënuar rritje me vitin 2023. Ky rezultat tregon edhe se gjykata nuk është në gjendje të menaxhojë plotësisht ngarkesën e re të ardhur dhe vijon jo vetëm të mos zbus stokun e çështjeve të prapambetura, por të akumulojë gjithnjë e më shumë ngarkesë.
Marrë nga Lapsi.al