Më shumë se 1 000 qytetarë irakianë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen, pasi një stuhi masive rëre goditi pjesët qendrore dhe jugore të Irakut, duke ulur ndjeshëm dukshmërinë dhe paralizuar jetën publike në disa provinca.
Pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë qytete të tëra të mbuluara nga një mjegull e dendur portokalli, ndërsa këmbësorë dhe forca policie shihen me maska për të shmangur thithjen e pluhurit të dëmshëm. Paramedikët janë vendosur nëpër rrugë për të ndihmuar rastet urgjente.
Dukshmëria në zonat e prekura ra në më pak se një kilometër, duke detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht aeroportet në Najaf dhe Basra. Mediat lokale raportuan gjithashtu për ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone.
Sipas shërbimeve lokale të motit, kushtet pritet të përmirësohen deri të martën në mëngjes, por autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë brenda dhe të shmangin daljet e panevojshme.
Ministria e Mjedisit e Irakut ka paralajmëruar se vendi pritet të përballet me më shumë “ditë pluhuri” në të ardhmen, si pasojë e shpyllëzimeve dhe thatësirave të vazhdueshme.
Në vitin 2022, një stuhi e ngjashme shkaktoi një viktimë dhe më shumë se 5,000 persona kërkuan ndihmë mjekësore për probleme të frymëmarrjes.
Marrë nga Reuters