Qendra “Altax” në raportin e anketimit mbi fizibilitetin financiar të premtimeve zgjedhore ka gjetur se votuesit shqiptarë në 2025 janë më të vetëdijshëm, më të informuar dhe më kritikë ndaj ofertave zgjedhore.
Ky anketim është realizuar gjatë periudhës Dhjetor 2024 – Janar 2025, në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në këtë periudhë, angazhimet e partive politike janë duke marrë një formë të qartë dhe detajuar, përmes programeve që synojnë të përmbushin nevojat e ndryshme të qytetarëve, duke përfshirë sektorë si shëndetësia, arsimi, infrastruktura, dhe mbrojtja sociale. Megjithatë, një nga çështjet kryesore është se sa këto premtime janë të realizueshme dhe sa janë mbështetur nga një planifikim i qartë financiar që mund të sigurojë zbatimin e tyre.
Nëpërmjet këtij procesi është synuar të kuptohet nëse qytetarët dhe ekspertët besojnë se premtimet janë të përvijuara qartë, se ato mund të realizohen financiarisht dhe se ato janë të lidhura me një planifikim të përgjegjshëm të burimeve financiare.
Perceptimi i votuesve mbi programet dhe besueshmërinë e premtimeve zgjedhore
Rezultatet e pyetësorit treguan një shqetësim të madh të votuesve për mungesën e qartësisë dhe besueshmërisë së premtimeve të bëra nga partitë tradicionale. Rreth 60-65% e të anketuarve shprehën shqetësim për faktin që premtimet e partive nuk janë të detajuara ose mungojnë të dhëna për realizimin e tyre. Ky shqetësim është i dukshëm për të gjithë shtresat e votuesve dhe ka një ndikim të fortë në besueshmërinë që qytetarët kanë ndaj partive tradicionale.
Ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e votuesve (rreth 45%) theksuan se janë të gatshëm të mbështesin alternativat më të reja që ofrojnë një vizion më të qartë dhe më të realizueshëm për të ardhmen. Kjo tregon një tendencë për t’u larguar nga partitë tradicionale dhe për të kërkuar një mundësi më të besueshme, që mund të jetë një mundësi e re politike.
Programet zgjedhore
Pjesa më e madhe e votuesve (rreth 70-75%) janë të shqetësuar për qartësinë e programit dhe besueshmërinë e premtimeve, por një pjesë e konsiderueshme e tyre (rreth 45%) gjithashtu e vlerësojnë një program të detajuar dhe të mirëpërgatitur si një faktor të rëndësishëm për përzgjedhjen e partisë që do të mbështesin. Ky faktor tregon se për një pjesë të konsiderueshme të votuesve, programet kanë një ndikim të madh.
Bindjet paraprake
Nga ana tjetër, 40-50% e të anketuarve treguan se janë të ndikuar nga bindjet e tyre paraprake ndaj partive dhe historisë së veprimit të këtyre partive. Ky grup qytetarësh e ka të vështirë të pranojë një ndryshim të madh në mënyrën e qeverisjes dhe shpesh mbështeten tek ato parti me të cilat kanë pasur një lidhje historike.
Përqindja e paqartësisë
Rreth 20-25% e të anketuarve ishin të paqartë ose të pavendosur për programet dhe partitë që do të mbështesnin. Kjo përqindje është shumë e rëndësishme për partitë e reja, pasi kjo pjesë e votuesve ka një hapësirë të konsiderueshme për të ndikuar dhe për të ndryshuar përzgjedhjen e tyre, duke ofruar alternativa të reja dhe më të qarta.
Ndikimi kryesor: Programet vs. Bindjet paraprake
Duke marrë parasysh përqindjet dhe analizën e tendencave, është e qartë se votuesit janë të ndikuar si nga programet zgjedhore, ashtu edhe nga bindjet paraprake. Programet kanë një ndikim të konsiderueshëm (rreth 45-55%) në përzgjedhjen e votuesve, pasi ata kërkojnë premtime të qarta dhe të realizueshme. Në të njëjtën kohë, bindjet paraprake mbajnë një peshë të rëndësishme për një pjesë të konsiderueshme të votuesve (rreth 40-50%), të cilët kanë pasur një lidhje të mëparshme me partitë tradicionale dhe shpesh janë të ngurta për të ndryshuar.
Marrë nga Ekofin.al