Pas tenderit të mirëmbajtjes së tunelit të Llogarasë në muajin mars, ARRSH ka hapur sot një tjetër procedurë tenderi, këtë herë për mbikëqyrësin e mirëmbajtjes, me vlerë limit 116 mijë euro.
Nisur nga fakti që, “Mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i tunelit te Llogorasë” është një kontratë shërbimi me rëndësi të vecantë bazuar në Ligjin 158/2013, lidhur me sigurinë e tuneleve rrugore, Mbikqyrësi duhet të ndihmojë ARRSH-në me qëllim kryerjen e detyrave te supervizimit të kontratës së “Mirëmbajtjes së pajisjeve dhe operimit të tunelit të Llogorasë”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Praktikisht, marrëveshja kuadër me afat 48 muaj, do të kërkojë një menaxher drejtues për punimet dhe një inxhinier. Gjithashtu janë llogaritur shpenzime zyre dhe kancelarie, si edhe një makinë 4×4 për ekipin.
Projekti i Tunelit të Llogarasë që është pjesë e rrugës Orikum – Himarë, Loti II, është një projekt transformues për zhvillimin e infrastrukturës me impakt në ekonominë dhe turizmin e vendit në bregdetin e Jugut.
Ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut ndërmjet qyteteve dhe fshatrave bregdetare që shtrihen në bregdetin jugor; reduktimin e kohës së udhëtimit; reduktimin e numrit të aksidenteve; si edhe përmirësimin e sigurisë rrugore, duke evituar kështu kalimin nga Qafa e Llogarasë.
Loti.II, i rrugës Orikum – Himarë, në të cilin ndodhet Tuneli i Llogarasë, fillon 500 m në veri-perëndim të urës së Shën Elizës në segmentin rrugor Dukat – Llogara dhe përfundon 1.3 km në perëndim të urës së Palasës. Gjatësia totale e itinerarit është 7.42 km.
Pjesa më e rëndësishme e kësaj vepre janë Tuneli Kryesor dhe ai i emergjencës. Tuneli Kryesor ka një gjatësi prej 5.99 km duke marrë në konsideratë portalet, krahas të cilit në një largësi aksiale 40 m shtrihet Tuneli i Emergjencës me gjatësi 6 km, që aktualisht është në fazë ndërtimi.
Qendra e Kontrollit që monitoron operimin e sistemeve të ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës, pozicionohet në portalin verior të tunelit.
Përgjatë tunelit ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, ku 5 janë për automjete dhe 6 për këmbësorët. Këto kalime lidhëse tërthore janë të shoqëruara me vendqëndrime për mjetet çdo 1 km në secilën anë, pra 6 në sensin e lëvizjes Orikum – Himarë dhe 5 në sensin e lëvizjes Himarë – Orikum.
Tuneli është aktualisht në operim dhe pritet që kalimi përmes tij të jetë me pagesë 5 euro për një kalim.
Marrë nga Ekofin.al