Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një ligj të ri i cili kriminalizon publikimin e imazheve intime, qofshin ato reale apo të krijuara nga inteligjenca artificiale, pa pëlqimin e personit të përfshirë.
Ky është ligji i gjashtë që presidenti Trump ka nënshkruar gjatë mandatit të tij të dytë. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt të hënën pasdite në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti ishte i shoqëruar nga Zonja e Parë, Melania Trump.
Melania Trump ka qenë një mbështetëse e fortë e ligjit që nga fillimi i mandatit të dytë të bashkëshortit të saj. Në mars, ajo bëri daljen e saj të parë publike vetëm për të nxitur Kongresin që të miratojë ligjin.
“Është zemërthyese të shohësh adoleshentë, veçanërisht vajza, që përballen me sfida të mëdha për shkak të përmbajtjes dashakeqe online, si deepfake”, u shpreh ajo në një tryezë diskutimi më 3 mars.
Ndërsa ligji ka marrë përkrahjen e kompanive të mëdha si Meta, TikTok dhe Google, disa grupe të të drejtave dixhitale kanë ngritur shqetësime për pasojat e tij në lirinë e shprehjes.
Marrë nga Associated Press