“Nuk kam asnjë qëllim të kandidoj sërish”. Kështu u shpreh Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ndërsa theksoi se vendi i tij ka nevojë për një Kushtetutë të re e cila pasqyron frymën e kohës moderne dhe vlerat demokratike.
“Qëllimi ynë i vetëm është të rrisim reputacionin e vendit tonë. Turqia po ndryshon, bota po ndryshon. A mendoni se në një botë kaq dinamike mund të ecim përpara me një Kushtetutë të krijuar në kohën e grusht shtetit, që ende mban erën e mentalitetit të puçistëve? Turqia nuk mund të ecë më me një Kushtetutë të tillë. Na duhet një Kushtetutë e propozuar nga civilët, jo nga puçistët.”-ka deklaruar Erdogan
Kushtetuta aktuale e Turqisë u miratua në vitin 1982, pas grusht shtetit ushtarak të vitit 1980, dhe megjithëse është ndryshuar disa herë, kritikët thonë se ajo ende përmban elemente të një sistemi autoritar dhe logjikë puçiste.
Megjithatë, opozita turke shpreh shpesh dyshime mbi qëllimet e Erdoganit, duke pretenduar se reformat e tij synojnë forcimin e pushtetit personal dhe dobësimin e institucioneve të pavarura.
Sidoqoftë, deklarata për tërheqjen e tij nga gara presidenciale mund të hapë një dinamikë të re politike në vend, veçanërisht përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të vitit 2028.
Marrë nga Newsbomb.al