Kompania ndërkombëtare postare DHL ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pagesën e plotë të kontratës prej 9.2 milionë euro për shërbimin e transportit të votave të diasporës gjatë procesit zgjedhor. Megjithatë, KQZ ka refuzuar të kryejë pagesën, duke kërkuar më shumë transparencë dhe dokumentacion të detajuar mbi shërbimin e ofruar.
Sipas burimeve të Report TV, faturat e paraqitura nga DHL janë të përgjithshme dhe të padetajuara, të ndara vetëm sipas muajve dhe sipas procesit të dërgim-kthimit, pa specifikuar numrin konkret të zarfeve apo vendet nga janë transportuar. Në mungesë të këtij informacioni, KQZ ka kërkuar nga kompania një faturim të detajuar për çdo shtet veçmas, të shoqëruar me kopje elektronike të firmave të zgjedhësve që kanë tërhequr zarfet zgjedhore.
DHL ka filluar të sjellë dokumentacionin e kërkuar për një pjesë të shteteve, ndërkohë që stafi i KQZ-së është duke kryer një verifikim të plotë të nënshkrimeve. Nga kontrollet paraprake, është konstatuar se përveç firmave të rregullta, ka raste kur në vend të firmës është vendosur një vizë (_), një pikë (.) ose mungon fare nënshkrimi.
Për këtë arsye, KQZ ka njoftuar se do të bëjë pagesa vetëm për ato zarfë të cilët kanë nënshkrime të rregullta të zgjedhësve, duke përjashtuar çdo dërgesë që nuk plotëson kriteret ligjore. Deri në këtë moment, DHL nuk ka marrë asnjë pagesë nga KQZ për shërbimin e kryer.
Marrë nga Shqiptarja.com