Një raport i shpërndarë në Bruksel zbulon se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë nuk erdhi nga Irani, por nga një strukturë proxy e Rusisë në Ballkan. Ndërsa zyrën iraniane në ambasadën turke në Tiranë, raporti e cilëson si qendër operative të një lufte të heshtur hibride. NATO ende hesht!
Raporti, i ardhur jo zyrtarisht nga agjenci shtetërore, por nga një think- tank me akses të drejtpërdrejtë në strukturat e sigurisë euro-atlantike, ka hedhur dritë mbi prapaskenat e sulmit të fundit kibernetik kundër Bashkisë së Tiranës, i ndodhur në kulmin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit. Një incident i rrezikshëm, që ndodhi ndaj një vendi të NATO-s, pa asnjë reagim institucional nga Shqipëria, dhe pa asnjë qëndrim publik nga Aleanca.
Fillimisht u spekulua se sulmi vinte nga Irani, sidomos pas “lapsusit” të çuditshëm të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili në një dalje publike ngatërroi Tiranën me Teheranin, një rrëshqitje që disa e lexuan si ‘lapsus frojdian’ më shumë sesa si një gabim të padëmshëm. Por raporti i publikuar të hënën, në margjinat e organizatave të ekspertëve pranë NATO-s në Bruksel, hedh poshtë çdo aludim për Iranin si autor të drejtpërdrejtë.
Homeland Security, emri i përdorur nga autorët e sulmit, sipas burimeve të inteligjencës perëndimore, është një proxy e Moskës në rajon, e aktivizuar për të dhënë sinjale destabilizuese në drejtim të Shqipërisë dhe më gjerë.
Dokumenti shpjegon se Irani nuk ka pasur as kapacitetin teknologjik dhe as vullnetin strategjik për të zgjeruar fushën e veprimit në Europë, pikërisht në një moment kur po përballet me sulme të vazhdueshme nga Izraeli.
Sipas raportit, strukturat e inteligjencës shqiptare janë informuar zyrtarisht për këtë sinjal nga Teherani, një paralajmërim i heshtur se çdo aktivitet i MEK-ut (Muxhahidinëve) monitorohet dhe, nëse vazhdon, nuk do të ketë mëshirë.
Ky paralajmërim është ekzekutuar përmes një sulmi simbolik në Tiranë, nga një strukturë e kontrolluar nga Rusia, duke demonstruar se ndonëse Irani është nën presion, rrjeti i tij i aleancave hibride mbetet funksional.
Raporti thekson edhe një çështje të ndjeshme: rolin e Turqisë në këtë histori. Sipas dokumentit, Teherani, i përjashtuar nga Shqipëria në vitin 2022, është rikthyer përmes një zyre të vendosur brenda ambasadës së Turqisë në Tiranë. Kjo zyrë, e prezantuar si diplomatike, dyshohet se funksionon si një qendër operative e inteligjencës iraniane, në kontakt të ngushtë me rrjete të fjetura që mund të përdoren për veprime më të rënda në të ardhmen.
Raporti mbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë: Turqia duhet të mbyllë zyrën iraniane në Tiranë, pasi pranimi i saj në një vend të NATO-s, në territorin e një ambasade që përfaqëson një aleat strategjik si Turqia, përbën rrezik real për sigurinë e aleancës. Ky është një hibrit i ri diplomatik, që fsheh në brendësi një potencial të frikshëm për akte të dhunshme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën, me Shqipërinë si pikënisje.
Turqia, për të cilën gjithmonë ka pasur dyshime për lojë të dyfishtë, në këtë rast del hapur si “strehuesi” i një rrjeti që aleatët e saj nuk e kontrollojnë dot. Dhe kjo, në rrethanat aktuale globale, nuk është më thjesht problem shqiptar, është kërcënim për sigurinë euroatlantike, i fshehur pas ombrellës së një aleati që preferon të dijë shumë, por të ndajë pak.
Marrë nga Pamfleti.net