Nga Herbert Bauernebel
A po rrëzohet qyteti më hebre jashtë Izraelit? A do të bëhet një urryes i Izraelit, një ultra-majtist dhe socialist, kryetari i ardhshëm i bashkisë së Nju Jorkut? Zohran Mamdani dëshiron të bojkotojë shtetin hebre, të zvogëlojë policinë në ‘Big Apple’ dhe të krijojë supermarkete shtetërore. Dhe sapo ka fituar primaret e Partisë Demokratike me këtë program!
Kandidati i socialistëve demokratikë ultra-majtistë është surpriza më e madhe politike e vitit: pas numërimit të rreth 87 përqind të votave, Mamdani ishte të mërkurën në mëngjes në vendin e parë në parapraket (“primaret”) me 43,6 përqind – përpara ish-guvernatorit Andrew Cuomo, i cili në vitin 2021 dha dorëheqje pas akuzave për ngacmime dhe tani kërkonte një rikthim si kandidat i pavarur.
Tani ai është favoriti për postin e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut dhe duhet të përballet në nëntor vetëm me kandidatin republikan Curtis Sliwa.
Zgjedhja e tij do të ishte një tërmet politik në një qytet që pothuajse 22 vite më parë, më 11 shtator, përjetoi sulmin më të rëndë terrorist në histori. Dhe një sukses befasues për krahun progresist të majtë brenda Partisë Demokratike. Mamdani po mbështetet aktivisht nga idhulli i së majtës, senatori Bernie Sanders. Para po derdhen gjithashtu nga organizatat progresiste.
Një panik i vërtetë është përhapur te popullsia hebreje (rreth 12 për qind e banorëve, afro një milion veta) për shkak të fushatës së Mamdanit kundër Izraelit: si zëdhënës i skenës antisemitike “River to the Sea”, ai nuk ka dashur në asnjë mënyrë të distancohet nga slogani “Globalizoni Intifadën!”, të cilin shumë vetë e interpretojnë si thirrje për terror.
Ai mbështet bojkotin dhe sanksionet kundër Izraelit. Në vitin 2023, ai mori pjesë në një grevë urie për të drejtat e palestinezëve së bashku me yllin e “Sex and the City”, Cynthia Nixon. Të paktën: ai ka deklaruar se e njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
Politikani me prejardhje ugandezo-indiane dhe ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Nju Jorkut ka prekur një temë kyçe që shqetëson shumë banorë: qyteti i njohur është thjesht bërë i paarritshëm! Kostot e jetesës (qiraja, ushqimi, transporti, argëtimi, etj.) janë rritur shumë pas pandemisë Covid.
Shumë nga idetë e Mamdanit synojnë masa kundër kësaj, por edhe ato janë të diskutueshme: ai propozon një kufi qiraje (“rent stabilized”). Për çmimet e larta të ushqimit, ai synon të krijojë supermarketet shtetërore – një ide që tingëllon shumë socialiste dhe pak lidhje ka me metropolin financiar të Nju Jorkut.
Dhe: rreth 350,000 milionerët në qytet do të përballen me taksa të larta. Sipas “New York Post”, kjo mund të shkaktojë një valë largimesh të taksapaguesve më të mëdhenj. Këta milionerë sigurojnë 41 për qind të të ardhurave nga taksat për shtetin. Ndërsa mbështetësit progresivë të Mamdanit janë entuziastë, të tjerët janë të shqetësuar për të ardhmen e qytetit të tyre.
Marrë nga BILD.de