Udhëheqësit e Bashkimit Evropian të mbledhur në samitin e Brukselit duhej t’i tregonin gjithashtu Komisionit Evropian nëse preferonin të arrinin një marrëveshje tregtare të shpejtë me Shtetet e Bashkuara me kushte të favorshme për Uashingtonin apo të vazhdonin të luftonin për një marrëveshje më të mirë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dëshiron të arrijë menjëherë një marrëveshje dhe është e gatshme të pranojë tarifa doganore 10% si britanikët.
Por dje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se afati i 9 korrikut për armëpushimin tregtar mes SHBA dhe BE “nuk duhet parë si vendimtar”, edhe pse “vendimi i takon presidentit”. (Ndërkohë, Trump njoftoi dje në rrjetet sociale një marrëveshje me Kinën, pa dhënë detaje, si dhe një tjetër, të afërt, me Indinë).
Francesca Basso thotë: “Shtetet e Bashkuara nuk kanë treguar interes për propozimin e BE-së për heqjen e tarifave për të dyja palët mbi produktet industriale.
Prandaj po rritet ndërgjegjësimi në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera se marrëveshja me SHBA rrezikon të jetë «asimetrike»: Trump nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga të ardhurat e lehta të fituara përmes tarifave universale.
Aktualisht, shumica e produkteve evropiane i nënshtrohen tarifave të ashtuquajtura «reciproke» prej 10%, automjetet dhe pjesët e makinave me tarifa prej 25%, ndërsa çeliku dhe alumini me 50%.
Çështja kryesore është nëse do të mund të bien dakord për një normë doganore (10%) dhe nëse do të ketë marrëveshje sektoriale si ajo me Britaninë e Madhe. Negociatat po i udhëheq komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič: tregtia është kompetencë ekskluzive e Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye është Komisioni që negocion në emër të 27 vendeve anëtare.”
Marrë nga Associated Press