Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar një marrëveshje të miratuar nga pjesëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për t’i avancuar përgatitjet për pandemitë e radhës, pas një përgjigjeje të çrregullt globale për pandeminë koronavirusit, ka bërë të ditur Qeveria amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë kanë thënë përmes një deklarate se e kanë transmetuar edhe zyrtarisht refuzimin amerikan për të zbatuar paktin, i cili është miratuar në muajin maj në Gjenevë, pas tre vjetësh negociata.
Dokumenti u kërkon kompanive prodhuese pjesëmarrëse që të garantojnë se 20 për qind e vaksinave, ilaçeve dhe testeve do të ndahen për OBSH-në gjatë një pandemie, në mënyrë që vendet e varfra të kenë qasje në to.
Negociatorët amerikanë i kanë braktisur këto negociata pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur një proces 12-mujor për largim të SHBA-së nga kjo agjenci, pak pasi e ka nisur mandatin e ri presidencial.
SHBA-ja është mbështetësja më e madhe financiare e OBSH-së.
“Terminologjia e përdorur në amendamentet e vitit 2024 është e zbehtë dhe e përgjithshme, duke rrezikuar përgjigjen ndërkombëtare të koordinuar të OBSH-së që fokusohet në çështjet politike sikurse solidariteti, dhe jo në veprime të shpejta dhe efektive”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.
Marrë nga Associated Press