Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar sot në Spanjë, ku dy trena me shpejtësi të lartë janë përplasur pranë Toledos, në jug të Madridit.
Sipas asaj që raporton gazeta spanjolle El País, bazuar në vlerësimet e para të qeverisë, dyshohet se të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën. Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa dy vagonë dyshohet se kanë dalë nga shinat dhe kanë përfunduar në një shpat të thepisur.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00 të së mërkurës, më 28 tetor, mes zonave Los Yébenes dhe Urda, në provincën e Toledos. Në përplasjen janë përfshirë një tren AVE, i cili ishte nisur nga Madridi me destinacion Seviljen, dhe një tren i kompanisë Iryo, që udhëtonte në drejtimin e kundërt.
Kompania spanjolle përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore, Adif, ka njoftuar pezullimin e qarkullimit në linjën e trenave me shpejtësi të lartë që lidh Madridin me rajonin e Andaluzisë.
“Qarkullimi në linjën me shpejtësi të lartë Madrid–Andaluzia është pezulluar pas përplasjes mes dy trenave”, njoftoi kompania përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor.
Marrë nga El Pais