Vendet nordike, që zakonisht janë të ftohta, po përjetojnë një valë të nxehti shumë të pazakontë këtë verë. Temperaturat e larta, të nxitura nga ndotja e karbonit në atmosferë, kanë sjellë të nxehtë të madh në pjesën veriore të Evropës.
“Vala e të nxehtit është vërtet e jashtëzakonshme, me temperatura që arrijnë 32-33°C”, tha Mika Rantanen, shkencëtar i klimës në Institutin Meteorologjik Finlandez. Edhe zonat arktike kanë parë mbi 25°C për tri javë, dhe mund të thyejnë rekordet e gushtit.
Instituti Meteorologjik i Norvegjisë bëri të ditur se temperaturat mbi 30°C janë regjistruar në 12 ditë të ndryshme në tre qarqet më veriore të Norvegjisë. Ani pse pati pak freskim javën e kaluar, pritet që temperaturat e larta të kthehen sërish në fundjavë.
Këto vende, si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, zakonisht janë të përgatitura për të ftohtin, jo për të nxehtin. Studiuesit thonë se ato do të përjetojnë rritjen më të madhe të ditëve të nxehta me kalimin e kohës dhe se infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për t’u përballur me temperatura kaq të larta.
Marrë nga The Guardian