Krizë urie nuk ka vetëm në Gaza, por edhe në Sudan, raportojnë mediat e huaja.
Pamjet tregojnë rrugë të boshatisura, njerëz të fshehur në shtëpi dhe fëmijë të sëmurë të ulur mbi rrogoza në tokë të zhveshur. Ndërkohë, ushtria sudaneze dhe Forcat e Përbashkëta të Mbrojtjes së Darfurit po përpiqen të ndalojnë përparimin e RSF-së drejt marrjes së kontrollit të qytetit.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm që prej prillit, kur RSF bastisi kampin e zhvendosurve Zamzam, 12 kilometra në jug të qytetit, duke bllokuar përfundimisht rrugën e fundit të furnizimit për al Fashirin. Qindra mijëra njerëz të shpërngulur ndodhen tani në periferi të qytetit, pa asnjë ndihmë.
Sipas organizatës Mjekët pa Kufij (MSF), normat e kequshqyerjes janë katastrofike dhe uria është tashmë e konfirmuar në të paktën pesë zona. “Që nga qershori, asnjë konvoj ndihme nuk ka mundur të hyjë në qytet. Përpjekjet për negociata kanë dështuar plotësisht”, deklaroi Mathilde Simon, koordinatore e projektit në MSF.
Kuzhinat e komunitetit janë shpresa e fundit për mijëra njerëz që jetojnë me një vakt në ditë, kryesisht qull sorgumi. Familjet përdorin ushqimin e mbetur të kafshëve për të mbijetuar, ndërsa situata vazhdon të përkeqësohet çdo ditë.
Al Fashir, një nga qytetet e fundit në Darfur që nuk është nën kontrollin e RSF-së, ndodhet në prag të një zije buke masive, me popullsinë civile që përballet me urinë, dhunën dhe harresën e plotë ndërkombëtare.
Marrë nga Sky News