Autori i dyshuar i vrasjes së polici në Serbi, u ekzekutua këtë të premte, sikurse njoftoi zv.kryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut. “Anëtarët e policisë eliminuan vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës“, u shpreh Daçiç, i cili është nisur drejt vendit të ngjarjes.
Në Lloznicë, qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën, në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër u plagos rëndë. Policia serbe ishte në kërkim të sulmuesit.
Ministri i Brendshëm serb po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiçin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka shoqëruar të dyshuarin nga Presheva ,në drejtim të Lloznicës me makinë.