Teksa qeveria e SHBA-së u mbyll, Donald Trump pa dyshim po shijonte idenë e ditëve të ardhshme.
Katër muaj pasi Elon Musk dhe njerëzit e tij kursimtarë u larguan nga administrata nën një re dyshimesh, mbyllja i ka dhënë presidentit një tjetër mundësi për t’i vënë sëpatën burokracisë federale dhe për të realizuar kursimet masive qeveritare që kishte premtuar.
Shkurtimet e premtuara prej 2 trilionë dollarësh, që do të zbatoheshin nga Departamenti i Efikasitetit Qeveritar (Doge) i zotit Musk, nuk u materializuan kurrë, pavarësisht pushimeve të shumta nga puna të punonjësve qeveritarë.
Disa ekspertë po e quajnë këtë “Doge 2.0”.
Sipas ligjit amerikan, Kongresi duhet të miratojë 12 projektligje çdo vit për të mbajtur qeverinë të financuar. Nëse dështon, të gjitha agjencitë federale duhet të ndalojnë funksionet jo thelbësore dhe t’i dërgojnë në pushim pa pagesë punonjësit jo thelbësorë.
Të enjten, Kongresi nuk arriti të miratonte projektligjin e financimit deri në afatin e fundit, që do të thoshte se mbyllja hyri në fuqi.
Në kaosin që do të pasojë, Trump mund të shfrytëzojë rastin për të mbajtur premtimin e tij për ta riformuar qeverinë dhe për të ulur deficitin gjithnjë e më të madh.
Në qendër të manovrës është Russ Vought, kreu i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB), mandati i gjerë i të cilit ka bërë që njerëzit e brendshëm të Uashingtonit të mendojnë nëse ai po tërheq të gjitha fijet në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Vought, i cili ishte arkitekti i Project 2025, planit kontrovers për mandatin e dytë të presidentit, ka argumentuar se OMB-jaduhet të veprojë si “ruajtësi i vullnetit të komandantit” dhe të ushtrojë ndikim mbi burokracinë federale.
Ndërsa Musk shihej si naiv dhe i nxituar, Vought është krejt e kundërta, një luftëtar i aftë burokratik që e njeh mirë mekanizmin e pushtetit dhe, ndryshe nga miliarderi i Teslës, ka ditur të qëndrojë në profil të ulët.
Norman Ornstein, specialist i mbylljeve pranë AmericanEnterprise Institute, e përshkroi Vought si “presidentin e brendshëm”.
Dhe ndërsa kaosi i shkaktuar nga një mbyllje mund të “përshpejtojë ritmin e Doge 2.0”, thotë Ornstein, Vought do të vazhdojë gjithsesi përmes manovrave të diskutueshme kongresionale siç janë shkurtimet e xhepit.
Kur mbyllja e parë u kërcënua në mars, demokratët u tërhoqën.
Chuck Schumer, demokrati më i lartë në Senat, fillimisht njoftoi se do të votonte kundër projektligjit të shpenzimeve, para se të ndryshonte mendim pas 24 orësh, duke thënë se ai do t’i jepte Trump-it dhe Musk-ut “çelësat e qytetit, shtetit dhe vendit” për të shkatërruar shërbimet thelbësore të qeverisë.
Si do ta shfrytëzojë Trump-i mbylljen
Javën e kaluar, tashmë qarkullonin shenja për mënyrën se si Trump dhe Vought planifikonin të përfitonin nga mbyllja.
Një memorandum i publikuar nga OMB-ja, dukshëm për të ushtruar presion ndaj demokratëve, tregoi se qeveria po përgatitej për shkurtime masive të vendeve të punës nëse Kongresi nuk do të miratonte projektligjin deri të martën.
Agjencitë duhej të identifikonin dhe të pushonin nga puna punonjës në programe federale që “nuk përputheshin me prioritetet e presidentit”, thuhej në memo.
Mendohet se Trump dhe Vought do t’u japin leje punonjësve gjatë mbylljes dhe më pas do të refuzojnë t’i rikthejnë pasi Kongresi të miratojë një ligj të ri financimi dhe puna të rifillojë.
Ashtu si me pushimet nga puna të udhëhequra më parë nga Doge, është një lëvizje që me shumë gjasa do të çojë në sfida ligjore nga sindikatat e punonjësve federalë.
“Argumenti që do të përdorin republikanët është: nëse je jo thelbësor, atëherë nuk ke pse të punosh në qeverinë federale… a janë vërtet të gjithë të nevojshëm?” tha Brian Darling.
“Është një argument i fortë që administrata mund ta bëjë në atë pikë.”
Schumer ‘nën presion të madh’
Mbyllja filloi zyrtarisht të mërkurën, por dukej e pashmangshme që të hënën pasi bisedimet e fundit midis drejtuesve të Kongresit dhe Trump-it dështuan.
Disa komentues kanë vënë në dyshim se sa serioz ishtepresidenti, i cili në një takim në Zyrën Ovale ngacmoi demokratët me kapele “Trump 2028”, për të arritur një marrëveshje me palën tjetër.
Të hënën, Trump postoi një video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku Hakeem Jeffries, udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, paraqitej me mustaqe dhe me një sombrero, me muzikë mariachi në sfond.
Dukej se ishte një referencë ndaj pretendimit të Trump-it se demokratët duan të financojnë kujdesin shëndetësor për migrantët e paligjshëm.
Në të njëjtën video, zëri i Chuck Schumer-it, liderit demokrat në Senat, ishte manipuluar digjitalisht për të thënë: “Askush nuk i pëlqen demokratët”, duke përdorur edhe sharje.
“Urrejtja nuk të çon askund,” reagoi Jeffries. “Anulo Shkurtimet. Ul Kostot. Shpëto Shëndetësinë. Ne NUK do të tërhiqemi.”
Të hënën, demokratët mbetën të habitur kur Schumer sugjeroi një projektligj të përkohshëm për ta mbajtur qeverinë hapur për deri në 10 ditë.
“Chuck Schumer është nën presion të madh nga baza demokrate për të luftuar dhe për të bërë diçka kundër republikanëve,” tha Brian Darling, një strateg republikan.
Një burim i partisë i tha Axios se kjo do të ishte: “Të shisje avantazhin në këmbim të një premtimi të kotë.”
Schumer e tërhoqi shpejt idenë, duke u thënë gazetarëve: “Duhet ta bëjmë tani. Koha po kalon.”
Demokratët refuzuan të mbështesin rihapjen e qeverisë përveç nëse shkurtimet në programet e kujdesit shëndetësor të bëra sipas “one, big, beautiful bill” të Trump-it do të anuloheshin.
Disa demokratë e shohin çështjen si një pikë kritike fushate teksa synojnë të rimarrin kontrollin e Dhomës dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit vitin e ardhshëm.
Megjithëse shumica e Partisë ngul këmbë, disa mendojnë se insistimi i tepruar mund të përfundojë duke i shërbyer Trump-it.
John Fetterman, senator nga Pensilvania, i cili shpesh është gjetur në përplasje me pjesën tjetër të partisë së tij, paralajmëroi kolegët se po binin në një kurth të ngritur nga presidenti.
Thuhet se republikanët besojnë se mund t’i japin fund mbylljes duke u përqendruar te demokratët hezitues për të thyer obstruksionizmin në Senat.
Kjo do të thotë të sigurojnë pesë vota shtesë gjatë ditëve dhe javëve në vijim. Të martën, Fetterman, Catherine Cortez Masto, senatorja e Nevadës, si dhe i pavaruri Angus King, mbështetën rezolutën e republikanëve.
Schumer ka deklaruar se tani është i bindur se një mbyllje e qeverisë nuk do të ketë asnjë efekt, pasi sipas tij, Trump vepron në mënyrë “të paligjshme” dhe jashtë çdo kufiri të rregullave.
Por nëse Trump dhe Vought kanë vërtet ndër mend ta shfrytëzojnë situatën, atëherë pranimi i këtij blofi mund të rezultojë një lëvizje e rrezikshme.
Marrë nga The Telegraph