Machado me themelimin e Súmate – një organizatë për zhvillimin demokratik – që prej 20 vjetësh angazhohet për zgjedhje të lira dhe korrekte në Venezuelë, thekson Komiteti Nobel. Që nga ajo kohë, Machdo i është përkushtuar luftës për liri të popullit venezuelan.
Komiteti norvegjez Nobel vlerësoi guximin e Machados dhe “angazhimin e palodhur” të saj për të drejtat demokratike të popullit Venezuelan, theksoi kryetari i komitetit Nobel Jorgen Watne Frydnes. Komiteti në Oslo në deklaratën përkatëse nënvizon, se udhëheqësja e opozitës venezuelane konsiderohet si kundërshtarja më e vendosur e presidentit autoritar Nicolás Maduro. “Si drejtuese e lëvizjes për demokracinë në Venezuelë Machado është një ndër shembujt më të jashtëzakonshëm të kurajos civile në Amerikën Latine të kohës”. Ajo është një “figurë kyç në një opozitë dikur të përçarë thellë”, të cilën arriti ta bashkojë në kërkesën e saj për zgjedhje të lira. “Në një kohë, kur demokracia është e kërcënuar, është më e rëndësishme se kurrë, të mbrohet çfarë na bashkon”, bën thirrje Komiteti Nobel. Kur një regjim autoritar merr pushtetin, është vendimtare, të vlerësohen mbrojtësit e guximshëm të lirisë.
Machado: “Jam e shokuar!”
Machado reagoi me habi të pabesueshme ndaj lajmit për vlerësimin e saj. Aleati i saj politik Edmundo González Urrutia publikoi një video të shkurtër, në të cilën ai telefonon me Machadon. “Jam e shokuar”, thotë ajo. “Nuk mund ta besoj!” Vitin e kaluar në garën presidenciale në Venezuelë Machado u emërua si kandidate e opozitës “Platforma e unitetit demokratik”, por më pas ajo u përjashtua nga Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve që është i afërt me qeverinë. Në vend të saj kandidoi González Urrutia, i cili sipas vëzhguesve përkundër rezultateteve të shpallura zyrtarisht, fitoi shumicën e votave. Qeveria e Maduros nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve.
Në Venezuelë autoritari Maduro qeveris që nga viti 2013 dhe vazhdon të jetë i kapur fort pas pushtetit. Në dhjetor Machado dhe González u vlerësuan me Çmimin e Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut. González është arratisur dhe jeton në emigracion në Spanjë, pasi në Venezuelë është dhënë urdhër arresti kundër tij.Po vitin e kaluar Machado u vlerësua edhe me çmimin Václav-Havel për të drejtat e njeriut.
Urime për Machadon
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e uroi nobelisten e paqes 2025 Machado menjëherë pas lajmit për vlerësimin që iu bë asaj. “Ky vlerësim pasqyron përpjekjet e qarta të popullit venezuelan për liri dhe zgjedhje korrekte, për të drejtat qytetare dhe politike si dhe për shtetin ligjor”, tha një zëdhënës i kësaj zyre në Gjenevë. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e uroi gjithashtu Machadon: Vlerësimi dërgon një sinjal të fortë, shkruan von der Leyen në X: “Fryma e lirisë nuk mund të izolohet.” Ky vlerësim ndaj saj është një vlerësim për secilin zë që refuzon të heshtë në Venezuelë dhe në mbarë botën. Edhe qeveria gjermane thekson “guximin dhe angazhimin shumëvjeçar të Machados për demokraci, shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut si dhe kontributin e saj për forcimin e shoqërisë civile në Venezuelë”.
Në vitin 2024 u vlerësua me Nobel për paqen organizata japoneze Nihon Hidankyo. Çmimi Nobel i Paqes është një ndër vlerësimet më prestigjoze në botë. Sivjet ishin në listë 338 kandidatë, por se cilët persona apo organizata kanë qenë në fjalë, kjo zyrtarisht mbahet për 50 vjet sekret.
Marrë nga Deutsche Welle