Policia e Shtetit ndërhyri në oborrin e Xhamisë “Ebu Beker” në Shkodër dhe hoqi një tabelë që përmbante një thënie të Profetit Muhamed. Komuniteti mysliman e shikon këtë thënie si një mesazh për grabitet e pronave të tyre, ndërkohë që në këtë vend po zhvillohet një projekt që përfshin një kullë 35-katëshe.
Myftinia Shkodër pretendon se është pronë e saj. Pas heqjes së tabelës së parë nga policia bashkiake, Myftinia e rivendosi tabelën disa metra më tutje brenda rrethimit të Xhamisë Ebu Bekr në qendër të qytetit. Tabela mbante mbishkrimin profetik “kush grabit padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, Allahu në ditën e Kiametit ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë”.
Kulla 35-katëshe “Rozafa Tower” në Shkodër do realizohet nga studio arkitekturore “Selgascano Architects”, nga Madridi. Kulla do të ndërtohet në hapësirën e hotel Rozafës, duke iu shtuar hapësirës së saj, por shumëfish më e lartë se godina e Rozafës. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është shprehur kundër këtij projekti, ku pretendon se prona ku është planifikuar të ndërtohet kulla është pronë vakëf (e dhuruar më herët për KMSH) dhe si rrjedhojë nuk mund të ndërtohet aty nga një palë tjetër.
Marrë nga Zëri.al