Sipas sondazhit rajonal Securimeter 2025 të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, që mat preferencat mes lirisë dhe sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, viti 2025 shënon diferencime më të thella mes shoqërive dhe një zhvendosje të dukshme të Shqipërisë drejt “sigurisë”, në kontrast me prirjet e shumicës së fqinjëve.
Sondazhi SecuriMeter 2025 u krye midis 30 majit dhe 18 qershorit 2025 dhe përfshiu 6,007 të anketuar në të gjithë Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në nivel rajonal, Ballkani Perëndimor mbetet thuajse i pandryshuar: 53% për lirinë dhe 47% për sigurinë si në 2024 ashtu edhe në 2025. Stabiliteti mesatar fsheh, megjithatë, lëvizje të forta brenda vendeve.
Shqipëria: rënie e fortë e “lirisë” në një vit
Në Shqipëri, pesha e atyre që vendosin lirinë mbi sigurinë bie ndjeshëm nga 43% (2024) në vetëm 36% (2025), ndërsa siguria rritet nga 57% në 64%. Kjo e bën Shqipërinë vendin me orientimin më të qartë pro sigurisë në 2025 ndër fqinjët e rajonit, duke u larguar edhe nga mesatarja ballkanike.
Serbia kryeson në preferencë për lirinë
Në krahun e kundërt, Serbia mbetet më “liberale” në perceptim: 65% pro liri në 2024 dhe 64% në 2025 (siguria zbret në 36%). Edhe pse ka një ulje minimale, Serbia mban diferencën më të madhe në favor të lirisë në rajon.
Ndërkohë Bosnja dhe Hercegovina rritet nga 52% në 55% pro liri (siguria bie në 45%). Kosova kalon nga 54% në 57% pro liri (siguria zbret në 43%).
Maqedonia e Veriut shënon ndryshim të fortë: nga 46% në 58% për lirinë, ndërsa siguria bie nga 54% në 42%, një nga kthesat më të mëdha vjetore në rajon.
Ndërsa në Mal të Zi ndodh e kundërta: nga 60% pro liri në 2024, vendi kalon në 48% në 2025; siguria rritet në 52%.
Sipas të dhënave të sondazhit shqiptarët mbajnë pozicionin më ekstrem pro sigurisë në rajon me 64%, ndërkohë Serbia mban ekstremin tjetër më pro lirisë me 64%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut (58%) dhe Kosova (57%), ndërkohë Bosnja dhe Hercegovina priret pro lirisë me 55%.
Të dhënat sugjerojnë se, ndonëse rajoni ruan një ekuilibër formal mes lirisë dhe sigurisë, vendet individuale po ecin në kahe të ndryshme. Shqipëria po lëviz më tej drejt kërkesës për stabilitet dhe rend, ndërsa një pjesë e vendeve fqinje po rrisin peshën e lirisë si prioritet shoqëror. Këto kontraste pritet të reflektohen në debatet publike, politikat e rendit e sigurisë, si dhe në qasjet ndaj të drejtave civile në vitet që vijnë.
Marrë nga Ekofin.al