Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi këtë të martë propozimin e SPAK që Joni Keta të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Vendimi erdhi pasi komisioni i posaçëm i ngritur nga SPAK, i drejtuar nga Altin Dumani dhe me anëtarë Arben Kraja e Behar Dibra, e vlerësoi Ketën si kandidatin më të përshtatshëm për këtë detyrë. Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP vendosi ditën e sotme që Keta të jetë kreu i ri i FBI-së shqiptare.
“Mandati i tij do të jetë 5 vjeçar, duke filluar nga data 9 dhjetor 2025. Të njoftohet SPAK dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit. Vendimi hyn menjëherë në fuqi”, tha kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Keta, i cili deri sot mbante pozicionin e zëvendësdrejtuesit dhe drejtuesit të komanduar të BKH-së, ishte ndër oficerët e parë të kësaj strukture. Emri i tij u propozua nga Dumani, Kraja dhe Dibra. Ndërkohë që Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano ishin kandidatët të cilët ju futën kësaj gare, mirëpo u skualifikuan më herët.
Joni Keta e ka nisur karrierën si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ndërsa pas krijimit të SPAK dhe BKH-së u përfshi në këtë strukturë të re, me mision të posaçëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2024 ai fitoi garën për postin e zv.drejtuesit, ndërsa sot merr drejtimin e institucionit që shpesh cilësohet si “FBI-ja shqiptare”.
Ai vjen nga një familje e njohur në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe historisë së vendit. I ati, Hysen Keta, ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit dhe ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë.
Kush është Joni Keta:
Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta garoi për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar.
Ai është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili për pesë vite ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit.
Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ai ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit, në Prokurorinë e Tiranës.
Në vitin 2017, Keta u komandua drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2022, kur u komanduar si Këshilltar i Etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar. Hysen Keta u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut por arriti t’i provonte KPA-së se duhet të kthehej në detyrë dhe ashtu ndodhi. Vendimi i parë u prish.
Nga ana e babait, Joni Keta është dhe nipi i Myslym Ketës, i cili për kontributin e tij të shquar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare është nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Myslym Keta, babai i prokurorit Hysen Keta, ka pasur gradën “Kolonel” dhe ka dhënë një kontribut të veçantë në themelimin e Armatës së tankeve.
Gjithashtu, redaksia e newsbomb.al mëson se Joni Keta është edhe djali i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, e cila aktualisht shërben si lektore pranë Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Ajo njihet publikisht si aktiviste e të majtës shqiptare (vitet e fundit mban një profil të ulët publik) dhe ish-anëtare e Asamblesë së Partisë Socialiste. Mirëpo, pas mandatit të parë qeverisës të Edi Ramës, Majlinda Keta u rreshtua publikisht në anën e kritikëve të pushtetit, duke e ndarë Partinë Socialiste nga Rilindja.
Karriera vetëm në rritje e Joni Ketës nuk mund të ishte krejt rastësore. Ai është veç të tjerash nipi i Bahri Shaqirit, ish-drejtuesit më jetëgjatë të Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili ka shërbyer dhe si zëvendësministër në qeverinë “Rama 1”, si dhe Këshilltar i Presidentit të Republikës.
Marrë nga Newsbomb.al