Një ngjarje e rëndë sociale është regjistruar në Durrës, ku një nënë 33-vjeçare rrezikon të humbasë kujdestarinë e tre fëmijëve të saj të mitur, pasi ata u gjetën në banesë në kushte tejet të vështira higjieno-sanitare. Sipas burimeve për mediat nga strukturat sociale, është marrë vendimi që fëmijët t’i hiqen përkohësisht nënës, ndërsa situata po vlerësohet nga institucionet përkatëse.
Mësohet se tre fëmijët, të moshave 5, 10 dhe 12 vjeç, nuk kishin ndjekur mësimin prej rreth një muaji, pasi ishin të prekur nga zgjebja dhe ishin mbajtur në izolim. Shkolla ka qenë në dijeni të gjendjes së tyre dhe e ka konsideruar mungesën si “karantinim”. Ndërkohë, burimet bëjnë me dije se në momentin e ndërhyrjes, fëmijët dyshohet se kishin rreth tre ditë pa konsumuar ushqim.
Aktualisht, tre të miturit ndodhen të shtruar në spital së bashku me nënën e tyre, për kontrolle dhe trajtim mjekësor.
Pas publikimit të rastit, ka reaguar edhe vetë 33-vjeçarja, e identifikuar si Blerina, e cila mohon kategorikisht çdo akuzë për braktisje apo keqtrajtim të fëmijëve. Ajo shprehet se është e detyruar t’i lërë fëmijët vetëm gjatë orëve të punës, për shkak të pamundësive ekonomike, ndërsa e cilëson denoncimin në Polici si një “kurth” të organizuar nga ish-vjehrra e saj.
Sipas saj, ish-vjehrra ka hyrë pa leje në banesë dhe ka ushtruar presion psikologjik mbi fëmijët, duke i nxitur të flasin kundër saj. Në deklarimet e saj, 33-vjeçarja tregon se është e divorcuar prej pesë vitesh dhe se punon si banakiere, me një pagesë prej rreth 400 mijë lekësh të vjetra në muaj, ndërkohë që vetëm qiraja e banesës i kushton 300 mijë lekë të vjetra.
Ajo thekson se ish-bashkëshorti, i cili ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur pesë vite burg në Itali, pas lirimit kontribuon vetëm me 180 mijë lekë të vjetra në muaj për tre fëmijët, një shumë që sipas saj është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat bazë të tyre.
Në deklaratat e saj, nëna shprehet se gjendja ekonomike e ka vënë përballë zgjedhjeve të pamundura dhe se largimi nga fëmijët gjatë orëve të punës nuk ka qenë kurrë një akt braktisjeje, por një përpjekje për mbijetesë. Ajo shton se njëri prej fëmijëve vuan nga epilepsia dhe ka kaluar një periudhë të gjatë trajtimi mjekësor, por aktualisht gjendja e tij është stabilizuar.
“Fëmijët e mi nuk i braktis kurrë. Jam nënë. Edhe veshkën e shes, por fëmijët nuk i lë. Nuk i çoj në jetimore”, është shprehur ajo, duke kërkuar që institucionet të marrin parasysh realitetin e saj ekonomik dhe familjar.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë procedurat ligjore dhe sociale për të vlerësuar situatën, ndërsa pritet të vendoset përfundimisht mbi fatin e tre fëmijëve.
Marrë nga Publik.al