Gjykata e Posaçme vendosi të martën më 13 janar deklarimin fajtor për korrupsion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, babanë e kandidates për deputete të Partisë Socialdemokrate në Fier, Limonera Bozhës, si dhe të një qytetari që u akuzua se mori ryshfet në këmbim të votës.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Pandeli Bozha për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe dënimin e tij me 1 vit e 6 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 1 vit heqje lirie. Po ështu është vendosur pezullimi i dënimit për Bozhën dhe vendosja në shërbim prove për dy vjet.
Vladimir Lushkaj, i cili u akuzua se mori para në këmbim të votës, u gjet gjithashtu fajtor për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”. Megjithate ai është përjashtuar nga dënimi bazuar në nenin 52/b të Kodit Penal për bashkëpunim me drejtësinë.
Sipas SPAK, nga hetimet është dokumentuar se paraditen e datës 8 maj, Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj dhe i ka futur në xhep këtij të fundit një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte. Pas marrjes në pyetje, Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli.
I pandehuri Pandeli Bozha është babai i kandidates për deputete e Partisë Socialdemokratike në Fier, Limonera Bozha. Kjo e fundit u ankua gjatë fushatës se u shkarkua nga Albpetrol në mënyrë të paligjshme, pasi shpalli kandidaturën.
Marrë nga Reporter.al