Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për vonesën ekstreme në kalimin e pagës për punonjësit e shëndetësisë.
Sipas Shoqatës, edhe pse data është 22 janar 2026, paga e muajit dhjetor 2025 ende nuk u është dhënë infermiereve dhe stafit mjekësor.
Në një deklaratë për mediat, shoqata thekson mungesën e njoftimeve dhe justifikimeve për këtë vonesë, si dhe heshtjen e institucioneve përgjegjëse dhe sindikatave që zakonisht reagojnë vetëm për interesa personale ose politike, duke mos mbrojtur punonjësit si individë.
“Edhe punonjësit heshtin nga frika e presioneve të vazhdueshme, përfshirë kërcënime për largim nga puna, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar dhe premton vetëm rritje page në formë lëmoshe për t’ua mbyllur gojën”, thuhet në deklaratën e Shoqatës.
Në deklaratën e saj, shoqata kritikon ashpër institucionet përgjegjëse dhe sindikatat, duke theksuar se reagimet e tyre shpesh janë selektive dhe të lidhura me interesa politike apo personale, jo me mbrojtjen reale të punonjësve.
Shoqata përshkruan situatën si një problematikë të përsëritur prej vitesh, ku përgjegjësia bie mbi punonjësit që duhet të presin pa fund për të marrë të drejtën e tyre financiare. Ajo thekson se kjo situatë është e turpshme, sidomos pas shumë skandalesh dhe vjedhjesh të pajustifikuara në sektorin e shëndetësisë, kur punonjësit e frontit të parë duhet të punojnë pa sigurimin e të ardhurave të tyre. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë shpreh shpresën se dikush do të marrë përgjegjësinë për këtë vonesë dhe se fenomeni nuk do të përsëritet më.
Marrë nga VoxNews.al