Një vatër e madhe zjarri është evidentuar pasditen e sotme në zonën e Monte Mario, pranë gjykatave të Romës dhe zyrave të RAI-t. Sipas mediave italiane, zjarri është përhapur me shpejtësi, ndërsa rrugët dhe zyrat e RAI-t dhe banesat janë evakuuar. Ndërkohë mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur helikopterët dhe njësitet e zjarrfikësve. Gjithashtu bëhet me dije se policia ka mbyllur rrugët hyrëse në zonat e Panorama dhe Trionfale, rreth stadiumit Olimpik.
Gazetari italian Sigfrido Ranucci ka postuar në rrjetet sociale pamjet nga vendi i ngjarjes duke shkruar se për momentin flakët nuk mund të kontrollohen.
“Selia e Rai në via Teulada u evakuua. Zjarr jashtëzakonisht i rëndë prapa selisë së Rai në via Teulada, i cili tani rrezikon të sulmojë kazermat e Karabinierëve. Për momentin flakët nuk mund të kontrollohen”, shkruan Ranucci në Facebook.